Polici më e re në moshë/ Voda: Jo të gjithë efektivët 55-vjeçarë dalin automatikisht në pension

TIRANË, 10 maj/ ATSH- A. Fortuzi/-Polici më e re në moshë është qëllimi i projektligjit të propozuar nga Ministria e Brendshme për të ulur me 2 vjet moshën e punonjësve të policisë në harkun kohor të tre viteve.

Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, gjatë një interviste televizive, tha se procesi që do të pasojë pas miratimit të ligjit është një proces fleksibël dhe jo të gjithë punonjësit e policisë që kanë mbushur apo mbushin 55 vjeç do lënë detyrën.

“Ky është një ligj fleksibël. Pra nuk është e thënë, që çdo individ që ka mbushur këtë moshë, që nga nesër do të dalë në pension, po themi të parakohshëm apo do të marrë këtë trajtim financiar që parashikon ligji, nëse ai do të largohet nga radhët e policisë së shtetit. Në Policinë e Shtetit ka një moshë relativisht të lartë mbi 45 vjeç,  që i bie më shumë se një e treta e radhëve të policisë së shtetit”,- tha Voda.

Ajo shtoi se largimi nga radhët e policisë nuk do varet 100% nga vullneti i punonjësve, por edhe nga nevojat dhe sfidat që do ketë Policia e Shtetit.

“Kjo do të varet nga nevojat e policisë së shtetit, pra nuk varet 100% nga dëshira e individit. Nëse do të kemi 100, 200 apo 300 punonjës policie që do të bëjnë një kërkesë, për të përfituar këtë trajtim financiar, për shkak të ndërprerjes së parakohshme të marrëdhënieve të punës, do të ketë një komision të posaçëm, i cili pas miratimit të ligjit do të krijohet me akt nënligjor, me vendim të Këshillit të Ministrave, që do të trajtojë këto kërkesa. Madje kërkesa nuk bëhet vetëm nga individi, por është lënë hapësirë në ligj që kërkesa bëhet edhe nga struktura apo departamenti përkatës i policisë së shtetit”,- theksoi Voda.

Sipas saj, në fokus të rinovimit do të jenë forcat opercionale të policisë që janë në terren me misione të ndërlikuara, ndërsa ka hapësirë për rikthimin e tyre në detyra specifike deri në 700 orë në vit.  “Do të jenë kryesisht punonjës policie, në raste të caktuara pasi kjo nuk konsiderohet si një ndërprerje absolute e marrëdhënieve të punës, as pushim i marrëdhënieve të punës. Po themi që do të konsiderohen të liruar nga detyra e megjithatë ata kanë detyrimin dhe mund të thirren dhe të punojnë në detyra të caktuara sipas nevojës së strukturës së Policisë”,- tha Voda. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.