Ditë Kombëtare e Drejtësisë, Meta: 10 maj i nuk është plotë pa Gjykatë Kushtetuese

TIRANË, 10 maj /ATSH – I. Vata/- Në Ditën Kombëtare të Drejtësisë, Presidenti Ilir Meta u shpreh pa Gjykatë Kushtetuese 10 maj është i pa plotë.

Me disa rreshta të parathënies së “Kanonit të Zhurisë”, të miratuar nga qeveria e Ismail Qemalit në 10 Maj 1913, Meta kujtoi Ditën Kombëtare të Drejtësisë. “Çdo pune që rrezon të dréjtat` é ropit tue prure ndalim në jétë, në liri dhé në kamjé të tija është faj. Fajet janë të ndaluara nga Qévérria q`është e detyruar të ruaje jétene, lirinë dhé kamjén e`çdo njériut”, citoi Meta, duke shtuar se “ky ishte akti i parë pas shpalljes së Pavarësisë që përcaktoi organizimin dhe funksionimin e gjykatave në sistemin gjyqësor shqiptar. Thjeshtësia, qartësia dhe pavarësia që garantohej në atë akt të parë për organizimin e gjykatave, sot, në këtë ditë të shënuar të drejtësisë shqiptare, duhet të na bëjë të reflektojmë me forcë mbi rëndësinë që ka funksionimi i plotë, i pandërprerë, i pavarur dhe i paanshëm i gjithë sistemit të drejtësisë në Shqipëri”.

Ai tha se sot, kur mungesa e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese po pamundëson mekanizmin kryesor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, 10 Maji i Ditës së Drejtësisë nuk është i plotë”.

“Sot, 107 vjet pas “Kanonit të Zhurisë”, duhet të vazhdojmë të mbrojmë edhe me më shumë forcë dhe vullnet, parimet kushtetuese për një gjyqësor të pavarur dhe funksional që meriton secili qytetar, nën frymën e Kushtetutës së miratuar prej tyre me referendum që prej datës 22 Nëntor 1998”, tha Meta.

Po ashtu Meta shprehet se “një urim i veçantë edhe për Komisionin e Venecias që pikërisht sot, në të njëjtën ditë, feston 30 vjetorin e krijimit të tij. Në këtë ditë të shënuar më lejoni të veçoj një pjesë nga deklarata e Presidentit të Komisionit të Venecias, zotit Gianni Buquicchio dhënë me rastin e 30-vjetorit të këtij organizmi”.

“… Pavarësisht këtij suksesi, mbeten ende shumë sfida dhe kriza aktuale COVID-19 na kujton se progresi nuk është kurrë i pakthyeshëm. Ne duhet të mbrojmë demokracinë pluraliste dhe të parandalojmë degjenerimin e saj në një regjim autoritar, ku fituesi i merr të gjitha. Sipas mendimit tim, Komisioni është i nevojshëm tani më shumë se kurrë më parë, për të mbrojtur dhe promovuar, në partneritet me organet e Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian: Respektimin e shtetit të së drejtës dhe, veçanërisht, pavarësinë e gjyqësorit; Kontrollet dhe balancat brenda një sistemi demokratik funksional; Zgjedhje të lira dhe të ndershme; Respektimi i të drejtave të njeriut, përfshirë edhe në situatat emergjente”, shprehet ai. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.