Soreca: BE mbështetje financiare Shqipërisë për kapërcimin e krizës së COVID-19 dhe rindërtimin pas tërmetit

TIRANË, 9 maj/ATSH-Gjergji Mima/ –Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca deklaroi sot se, Bashkimi Europian i ka ofruar mbështetje Shqipërisë për kapërcimin e krizës së COVID-19, por edhe pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Që prej tre javësh BE me anën e Kombeve të Bashkuara po punon me projektin “BE për shkollat” për të rindërtuar dhe rinovuar 22 shkolla në 5 rajone të Shqipërisë. Ky është vetëm fillimi”, theksoi Soreca në një konferencë me Kryeministrin Edi Rama për Ditën e Europës.

Soreca shtoi se, “100 milionët e tjerë janë përcaktuar në vazhdimësi të këtij projekti, “BE për shkollat, por edhe shumë projekte të tjera, të cilat do të identifikohen dhe evidentohen së bashku me  qeverinë. Më pas është dhe një iniciativë shumë e rëndësishme për rehabilitimin e vendeve të ndryshme që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore. Pasi ne besojmë se arsimi dhe trashëgimia kulturore janë një shtysë shumë e fuqishme për turizmin për ekonominë, për të ndihmuar Shqipërinë për të kaluar këtë periudhë të vështirë”.

Ndaj theksoi Soreca, “pjesë e atyre 100 milionë eurove do të përdoren për të rinovuar edhe disa nga vendet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, të cilat janë dëmtuar nga tërmeti. Së bashku me qeverinë ne do të përcaktojmë këto vende”.

“Në këto momente që po flasim, në këtë krizë të koronavirusit, që prej ditës së parë BE ka qëndruar përkrah shqiptarëve dhe 230 milionë euro janë përcaktuar. 4 milionë euro janë përcaktuar në mënyrë të menjëhershme për shëndetësinë. Në mënyrë të menjëhershme po ashtu kemi sjellë të gjithë pajisjet e duhura shëndetësore për Shqipërinë për personelin mjekësor dhe në spitale. Do të vazhdojmë dhe këtë javë me ventilatorë dhe autoambulanca”, tha ai.

Ndërkohë, nënvizoi Soreca, “që 45 milionë euro të tjerë do të jenë të gatshme në korrik për mbrojtjen sociale për të ndihmuar pjesët më vulnerabël dhe të cenueshme të shoqërisë. Pra edhe ndihmë për shtresat sociale edhe për rimëkëmbjen ekonomike të vendeve. BE ka vënë mënjanë edhe 480 milionë euro huamarrje me normat e njëjta të interesat që kanë shtetet anëtare. Këto para do të jenë menjëherë të disponueshme që në fillim të korrikut”.

Soreca falënderoi kryeministrin Rama “për solidaritetin që Shqipëria shfaqi për miqtë e saj në BE, pasi në të gjithë kemi parë ata mjekë dhe infermierë shqiptarë që shkuan në Itali, por edhe fluturimet e riatdhesimit. Shqipëria ka qenë mjaft bujare pasi ka lejuar 200 qytetarë të BE që ishin në Shqipëri për të ikur në vendet e tyre”.

Për Samitin e Zagrebit Soreca tha se, “ka qenë dhe mbetet shumë shumë i rëndësishëm për të ardhmen e rajonit. 3.3 miliardë euro janë përcaktuar nga BE si një paketë për Ballkanin Perëndimor. BE në rajon në krahasim me të gjitha palët e tjera është është donatori më i madh këtu. Është e rëndësishme të mos e harrojmë këtë”.

Soreca shtoi se, “do të ketë dhe asistencë tjetër që do të vijë edhe me planin ekonomik. Plani i investimeve, të cilin do ta shikojmë nga BE në 6 mujorin e dytë të vitit, për të ndihmuar jo vetëm Shqipërinë, por edhe vendet e tjera të rajonit për rimëkëmbjen, transportin, energjinë, infrastrukturën etj”.

“Në Zagreb pati dhe diskutime për reformat. Kjo është shumë e rëndësishme. Rimëkëmbja ekonomike do të duhet  të shoqërohet me vazhdimin e  reformave. Në mes të krizës së COVID-19 n data historike për Shqipërinë ka qenë data 25 mars, vendimi historik që u mor për çeljen e negociatave. Ndaj tashmë Shqipëria është në segmentin e fundit të udhëtimit dhe reformat do të duhet të vazhdojnë patjetër. Përfundimet e Këshillit të BE kanë identifikuar udhërrëfyesin, sundimin e ligjit, zgjedhjet, luftën kundër korrupsionit, si dhe çështje të tjera. Ne po bashkëpunojmë me qeverinë shqiptare që këto gjëra të kryhen”, tha Soreca.

I pyetur në lidhje me reformat që duhet të kryejë Shqipëria, Soreca tha se “janë një sërë reformash pjesë e udhërrëfyesit që përmban të gjithë punën që duhet bërë pas vendimit të datës 25 mars. Të gjitha janë të rëndësishme. Nuk dua të bëj një listë përparësish apo prioritete as t’i listoj në bazë të vështirësisë”.

“Këtu çelësi është bashkëpunimi. Qeveria, kryeministri e tha dhe ka në fakt përgjegjësinë e parë, barrën e parë, por në disa raste ka nevojë për bashkëpunimin me institucione të tjera si përshembull bashkëpunimi me Presidentin me opozitën, jashtë dhe brenda parlamentit, në mënyrë për shembull që reforma në drejtësi të vijojë”, tha Soreca.

Ndaj, theksoi Soreca, “ne do të vazhdojmë të japim mbështetjen tonë për institucionet shqiptare në mënyrë që këto të fundit të mund të përpilojnë këtë plan veprimi, të vihet ai në zbatim, duke marrë parasysh të gjithë këto kushte, që  të fillojmë negociatat sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Në veçanti pas kësaj krize, negociatat do t’i sjellin Shqipërisë edhe më shumë asistencë edhe më shumë mundësi në të ardhmen”, u shpreh ai.

“Reforma zgjedhore po diskutohet tashmë ndërmjet palëve. Është e rëndësishme që në javët në vijim të gjendet kompromis që palët të gjejnë ekuilibrin e duhur që kjo reformë të miratohet dhe më pas të zbatohet ashtu siç e dimë dhe nga përfundimet e Këshillit të BE”, tha Soreca.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.