Shifra pozitive nga beteja me COVID-19 në Shqipëri/ Më pak se 15% e të prekurve trajtohen në spitale

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme mbështetur në identifikimin e rasteve të deritanishme dhe gjurmimin epidemiologjik në mënyrë aktive.

Brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar pozitivë me COVID-19 vetëm 6 raste në 224   testime të kryera tek qytetarët e dyshuar si të prekur me COVID-19. Sot është përqindja më e ulët e pozitivitetit ndaj totalit të testimeve, me vetëm 2.67 %.

Referuar të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në fillim të javës pra të hënën e 4 majit u identifikuan vetëm 8 raste të reja me COVID, duke vijuar me 17 raste të reja në datën 5, 12 raste te reja në datën 6, 10 raste të reja në datën 7 si dhe 8, 6 raste të reja përkatësisht për datat 8 dhe 9 maj. Këto të dhëna tregojnë një rënie e numrit të të prekurve nga ky infeksion me një rritje të numrit të tyre vetëm në datën 5 maj.

Ndërkaq, në 24 orët e fundit janë shëruar 7 qytetarë. Gjatë ditëve të fundit ka një përmirësim të situatës edhe në spitale. Aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, janë të shtruar 29 pacientë dhe vetëm 4 prej tyre janë në terapi intensive, dhe prej më shumë se 10 ditësh nuk ka asnjë humbje jete.

Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 884 qytetarë dhe vetëm 31 persona kane humbur jetën. Prej tyre 627 qytetarë, pra mbi 70% tashmë janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 198 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Krujë, Shkodër, Fier, Kamëz. Ndërkaq, më pak se 15% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet Covid, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes.

Situata pozitive ka bërë që qeveria të lehtësojë akoma më shumë masat pas 11 majit ku ndër të tjera parashikohet të rifillojnë nga puna si dhe do të shtohet fasha orare e lëvizjes. z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.