SHBA – 11 agjentë të Shërbimit Sekret rezultojnë pozitiv me COVID-19

NJU JORK, 9 maj /ATSH-AA/ – Njëmbëdhjetë agjentë të Shërbimit Sekret të SHBA-së kanë rezultuar pozitivë me koronavirusin e ri (COVID-19), sipas “Yahoo News”.

Dokumentet e Departamentit të Sigurisë së Brendshme (DHS) të rishikuara nga faqja e lajmeve tregojnë se 23 anëtarë të kësaj agjencie federale të zbatimit të ligjit janë shëruar nga sëmundja.

“Ndërkaq, 60 punonjës janë vetëkarantinuar”, thuhet në raportimin e së premtes në “Yahoo News”.

Mbetet e paqartë nëse ndonjëri nga agjentët e infektuar ka pasur kontakt me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, ose nënpresidentin Mike Pence.

Agjencia, e cila vepron nën DHS-në, është gjithashtu përgjegjëse për mbrojtjen e liderëve kombëtarë dhe vizitat e krerëve të shteteve.

Më herët të premten, Trump tha se Katie Miller, zëdhënësja e Pence, si dhe gruaja e ndihmësit të lartë Stephen Miller, kanë rezultuar pozitivë me koronavirusin e ri.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten se një bashkëpunëtor personal i paidentifikuar i cili punon afër presidentit Trump gjithashtu kishte rezultuar pozitiv.

Më shumë se 77 000 të infektuar kanë humbur jetën nga COBID-19 në SHBA, i cili mbetet vendi më i goditur nga pandemia, sipas Universitetit Johns Hopkins./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.