Programi i Rindërtimit/ BE përfshihet drejtpërdrejtë me financat e veta në rindërtimin e shkollave dhe në restaurimin e monumenteve të kulturës

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Kryeministri Rama deklaroi sot në Ditën e Europës së Delegacioni i Bashkimit Europian ka qëndruar pranë Shqipërisë edhe në ditët më të zymta të saj, duke detajuar programe dhe plane për të.

Gjatë një konferencë të përbashkët me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, Rama u ndal te Programi i Rindërtimit duke theksuar se investimi i BE-së në vendin tonë shkon në dy drejtime kryesore.

“Bashkimi Europian do të përfshihet drejtpërdrejtë me financat e veta në dy drejtime themelore, në rindërtimin e shkollave dhe në restaurimin, për të çuar në një nivel tjetër natyrisht se kjo është ambicia, të monumenteve të kulturës, të trashëgimisë sonë kulturore. Është fantastike që ne sot disponojmë një sërë instrumentesh të rëndësishëm financiarë për ta bërë rindërtimin shembullin e Shqipërisë që duam për fëmijët tanë”, theksoi Rama.

Më tej, Kryeministri nënvizoi se “jemi në një proces intensiv pune, më vjen shumë mirë ta them sot se edhe në ditët më të zymta të karantinës së përgjithshme, me ambasadorin, me ekipet tona kemi qenë vazhdimisht në kontakt dhe asnjë ditë delegacioni, ambasadori dhe njerëzit në Bruksel nuk kanë munguar të na jenë pranë për të vazhduar punën dhe për të detajuar plane dhe programe”.

“E di që fjala më e urryer sot për qytetarët shqiptarë është fjala durim, por fjala më e domosdoshme për t”u përsëritur është fjala durim. Durim, durim, durim. Rindërtimi nuk është një fjalë goje, është një masterplan me qindra e mijëra detaje që kanë të bëjnë me të gjithë procesin, nga ideimi deri tek projektimi e më pas deri tek zbatimi. Ama me vjen shumë mirë të them që të gjitha janë në proces. Vonesa e krijuar nuk është e jashtëzakonshme dhe objektivi ynë për të kthyer në shtëpi, në shtëpitë individuale të gjithë ata që humbën shtëpitë, një orë e më parë dhe pjesën dërrmuese të tyre brenda këtij viti, mbetet në fuqi. Ashtu sikurse objektivi ynë për të nisur rindërtimin e shkollave një orë e më parë dhe për të filluar të fusim në klasa nxënësit e shkollave të dëmtuara duke filluar qysh nga hapja e sezonit, mbetet ne fuqi”.

Ai tha se “nëse COVID nuk do të ishte shfaqur do të ishte bërë shumë më shumë se për të cilën po punohet aktualisht.

“Sigurisht nuk mund t”i bëjmë të gjitha ato që mund të bënim nëse nuk do të na kishte hyrë në mes ky armik i padukshëm, por do të bëjmë pa diskutim pjesën më të madhe të tyre dhe do të vazhdojmë po pushim”. z.tosku. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.