Plani i masave lehtësuese nga 11 maji, bizneset dhe aktivitetet që rinisin nga e hëna

TIRANË, 9 maj/ATSH/-Pas kësaj fundjave, qeveria ka vendosur të lehtësojë akoma më shumë masat nga 11 maji deri në 1 qershor ku mes të tjerash do të shtohen zonat e gjelbra dhe çelen mjaft biznese të tjera.

Referuar situatës epidemiologjike të qëndrueshme, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka bërë të ditur se cilat qytete i shtohen zonave të gjelbra si dhe ndryshimin e fashës orare të qarkullimit me automjet privat.

“Shtohet në zonat e gjelbra: Lushnja, Patosi, Roskoveci, Korça, Hasi, Lezha, Kukësi, Mirdita, Fushë-Arrësi, Malësi e Madhe, Pukë, Vau i Dejës, Kavaja dhe Vora.

Në të gjitha zonat e gjelbra lejohet qarkullimi ndërqytetas me automjet privat deri në orën 21 për më shumë se dy persona të së njëjtës familje. Hapen klinikat dentare, parukeri, berber dhe dyqanet në qendrat tregtare.

Të gjithë të riatdhesuarit do të vetkarantinohen në banesë. Ndërsa nga data 18 maj nis plani i masave lehtësuese nis zhvillimi i procesit mësimor dhe provimeve të maturës shtetërore. Hapen muzetë, galeritë e arteve dhe sitet arkeologjike, lejohen stërvitje individuale të sportistëve në ambiente të hapura.

Hapen bar-kafe, restorantet vetëm në ambientet e jashtme deri në orën 17:30. Shtohen fluturimet e riatdhesimeve me detyrim vetkarantimin në banesë”.

Ajo ka lajmëruar se më 1 qershor hapen çerdhet dhe kopshtet shtetërore dhe private.  z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.