Dita e Europës, Meta mesazh urimi presidentit të KE: Samiti i Zagrebit, ritheksoi perspektivën europiane të rajonit

TIRANË, 9 maj/ATSH/ – Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka dërguar një mesazh urimi kreut të Këshillit Europian, Charles Michel me rastin e Ditës së Europës.

“Shkëlqesia Juaj Charles Michel, dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta juve, si dhe të gjithë qytetarët evropianë në Ditën e Europës! Muajt dhe javët e fundit kanë qenë një vitrinë e vërtetë e solidaritetit, mbështetjes dhe inkurajimit europian ndaj Shqipërisë”, është shprehur Meta.

“Unë dhe bashkëqytetarët e mi jemi mirënjohës për ndihmën e menjëhershme që na dhatë pas tërmetit të nëntorit të vitit të shkuar, për përgjigjen e integruar ndaj pandemisë si dhe për vendimin inkurajues të Këshillit Europian për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë”, ka theksuar Meta.

“Jam i inkurajuar gjithashtu edhe nga përfundimet e Samitit të Zagrebit, që ritheksuan perspektivën europiane të rajonit tonë si dhe domosdoshmërinë për të pasur një proces të pakthyeshëm pranimi, të mbështetur mbi vlerat e përbashkëta europiane”, ka shtuar Meta.

“Do të vazhdoj të bëj çdo përpjekje për të favorizuar një zbatim të mirëfilltë të reformave, veçanërisht në drejtim të ndërtimit të një demokracie funksionale dhe të mbizotërimit të sundimit të ligjit, plotësisht në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, sipas standardeve më të mira europiane”, ka nënvizuar Meta.

“Këto kohë sprovuese vërtetuan edhe një herë se bëhemi edhe më të fortë, vetëm duke qenë të bashkuar. Zoti President, Gëzuar Ditën e Europës”, ka përfunduar urimin e tij, Presidenti Meta.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.