13 571 subjekte nuk kanë aplikuar për bonusin prej 40 mijë lekësh, Tatimet thirrje të plotësojnë kërkesën

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Janë 13 571 subjekte përfitues nga Paketa e dytë mbështetëse e qeverisë, të cilët ende nuk e kanë plotësuar kërkesën për përfitim të ndihmës financiare për punonjësit e tyre.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u bëri sërish thirrje sot këtyre subjekteve, të cilët ende nuk kanë aplikuar, që të plotësojnë kërkesën për përfitim të ndihmës financiare prej 40 mijë lekësh, për punonjësit e prekur në punën e tyre për shkak të situatës së krijuar prej pandemisë COVID-19.

Masat përfituese sipas VKM janë:

Masa 1: Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi 14 milionë lekë, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ urdhrave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzet mijë) lekë.

Masa 2: Të punësuarit e subjekteve të lejuar për të ushtruar aktivitet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ urdhrave të MSHMS deri në datën 10 prill 2020, përfitojnë ndihmë financiare prej 40 mijë lekë. Data e dorëzimit të formularit E-sig 027, nuk duhet të jenë më e vonë së 10 prill 2020.

Masa 3: Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, të lejuara për të ushtruar aktivitet, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40 mijë lekë. Nuk përfshihen punonjësit përfitues sipas pikës 2.

Masa 4: Të punësuarit e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e strukturave akomoduese, të cilët figurojnë në listëpagesat e subjekteve, deri në datën e Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40 mijë lekë. Nëse subjekti ushtron disa lloje aktivitetesh, përfitojnë vetëm të punësuarit në aktivitetin e strukturës akomoduese.

Aplikimet për përfituesit e masave 1 dhe 4 do të verifikohen dhe trajtohen nga DRT, ndërsa trajtimi i aplikimeve për subjektet përfitues të masave 2 dhe 3, është automatik, pra pas dorëzimit të Formularit të plotësuar, në seksionin Statusi shfaqet shënimi Miratuar, që do të thotë se kërkesa është miratuar automatikisht dhe do të vijohet me pagesën e ndihmës financiare prej 40 mijë lekësh, sipas VKM nr. 305, datë 16.04.2020. /a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.