Rikthehet RETRO/ Një pasion për t’u soditur tashmë nga dritaret dhe ballkonet e shtëpisë

TIRANË, 8 maj/ATSH/ Tiranës do t’i rikthehet zhurma e makinave të vjetra bashkë me nostalgjikët e tyre duke improvizuar edhe sport, edhe art brenda në një festë.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor bën të ditur se shumë shpejt parada RETRO e mjeteve të koleksionit historik shqiptar do të rikthejë dashurinë për artin e të bukurën në rrugët e kryeqytetit si një surprizë për të gjithë dashamirësit e nostalgjisë nën ritmet Jazz&Swing.

“Një pasion që jeton mes kujtimeve për t’u soditur tashmë nga dritaret dhe ballkonet e shtëpisë”, e ka cilësuar kreu i DPSHTRR, Gonxhja.

Në Shqipëri, vlerësohet se ka një numër të konsiderueshëm mjetesh rrugore të hershme, por që për shkak se nuk ka pasur një akt ligjor që të mbrojë dhe promovojë këtë pasion, nuk kanë qenë asnjëherë të ekspozuara tërësisht.

Nga verifikimet në terren ka mjete rrugore që pavarësisht viteve, janë të ruajtura në kushte shumë të mira teknike, madje mund të qarkullojnë në rrugë.

Tashmë është krijuar Qendra Historike Shqiptare RETRO, një hapësirë ku mund të gjenden mjete të hershme dhe jo vetëm, por edhe pjesë mjetesh, dokumentacione, targa të ruajtura nga koleksionistë të sendeve apo relikeve të vjetra dhe që janë të mirëmbajtura. /a.gjonaj//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.