Mbyllja e vitit akademik/ Rrumbullaku: Rikthimi i pjesshëm në auditorë sipas eksperiencës ndërkombëtare

TIRANË, 8 maj/ ATSH-A. Fortuzi/ Shtyrja e zgjedhjeve në universitete është një zgjidhje optimale, por jo perfekte, pasi në kuadër të kësaj pandemie duket e vështire gjetja e një date ku 10 000 studentë t’i mbledhësh në një ndërtesë për të realizuar këto votime.

Zv.ministri i Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Oltion Rrumbullaku, gjatë një interviste televizive, ka shtuar se MARS është duke ndjekur të gjitha eksperiencat për të marrë vendimet për mbylljen e vitit akademik.

“Aktualisht vazhdon mësimi online, ai nuk është ndalur në asnjë moment, por një pjesë e studentëve kërkonin pjesëmarrjen në auditor, sidomos ato që janë në vitin e tretë bachelor dhe vitin e dytë master. Ne duke shqyrtuar dhe eksperiencën ndërkombëtare, diskutuam disa variante, që u vlerësuan dhe me universitetet dhe morëm vendimin për rikthimin e pjesshëm për studentët në auditorë. Dhe ato që do rikthehen janë studentët e nivelit bachelor viti i tretë dhe viti i dytë master. Kthimi do bëhet sipas të gjitha protokolleve të sigurisë, duke respektuar distancat, higjienën dhe të gjitha me radhë. Për këtë ngarkohen universitet të marrin masat për t’i rregulluar auditorët sipas masave të sigurisë”, – theksoi Rrumbullaku.

“Sa i takon zgjedhjeve, ky ka qenë një vendim i vështirë, pasi është tejet e vështirë për të gjetur një kohë të përshtatshme për të realizuar zgjedhjet. Nuk ka një kohë perfekte se kur mund të mbahen zgjedhjet. Ne kemi ndjekur eksperiencën ndërkombëtare, kemi parë konferencat online dhe muajt shtator, tetor, nëntor e dhjetor mund të konsiderohen muaj risku dhe ndoshta s’do kemi mësim të zakonshëm, prandaj është e vështirë të gjejmë në një ditë të vetme që të jenë në një ndërtesë 10 000 studentë. Duhet ta kemi parasysh këtë, që s’është një vendim i lehtë, jemi munduar të marrim një vendim optimal, por s’ka një vendim perfekt në këtë kohë pandemie”, – tha Rrumbullaku. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.