IFAB: Skuadrat do të lejohen të bëjnë pesë zëvendësime në ndeshje gjatë këtij sezoni

TIRANË, 8 maj/ATSH/ – Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të Futbollit (IFAB) ka konfirmuar se klubet do të lejohen të bëjnë deri në pesë zëvendësime brenda një ndeshjeje kur të fillojnë ndeshjet e futbollit, pas ndërprerjes së detyruar prej koronavirusit.

Ndryshimi i përkohshëm në rregulla është vendosur në mënyrë që të ruhet shëndeti i futbollistëve kur të rinisin ndeshjet, pasi të gjitha aktivitetet sportive kanë qenë të pezulluara që nga marsi prej Covid-19.

IFAB ka thënë se vendimi u mor pas kërkesës së FIFA-s dhe do të lejohet vetëm në garat që pritet të përfundohen deri më 31 dhjetor të këtij viti – që do të thotë se do të përdoren vetëm në sezonet aktuale të ligave dhe kupave vendore dhe Ligës së Kampionëve e Ligës së Europës, por jo edhe në sezonin 2020/21.

Gjithashtu IFAB ka konfirmuar se do të bëhen vetëm tri ndërprerje për zëvendësime nga secila skuadër – siç janë rregullat aktuale në futboll. Kjo do të thotë se brenda një ndërprerje do të duhet të bëhen më shumë zëvendësime sesa një për t’i përdorur të gjitha zëvendësimet, ose të bëhen ato pas pjesës së parë.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.