BRUKSEL – Eurozona dakord për një përgjigje të parë ndaj krizës së COVID-19

BRUKSEL, 8 maj /ATSH-AFP/-Ministrat e Financave të zonës së euros ranë dakord sot për detajet e një përgjigjeje të parë ndaj krizës së shkaktuar nga koronavirusi i ri, por gjithçka mbetet për t’u paraqitur në një plan të madh të rimëkëmbjes.

Konkretisht, Mekanizmi Europian i Stabilitetit (ESM), fondi i shpëtimit të eurozonës, i krijuar në vitin 2012, do të jetë në gjendje të vërë në dispozicion të vendeve më të prekura nga kriza kredi paraprake, që mund të arrijnë deri në 2 % të PBB-së së vendit në fjalë.

Nëse e krahasojmë me PBB-në totale të zonës së euros, shuma teorike e këtij instrumenti mund të arrijë në 240 miliardë euro.

Këto kredi pritet të jenë në dispozicion në qershor dhe kanë për qëllim të mbushin boshllëqet e krijuara nga shpenzimet e mëdha shëndetësore dhe të parandalimit, të lidhura me koronavirusin e ri./ /ervo/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.