ZAGREB – BE siguron Ballkanin Perëndimor për të ardhmen europiane

ZAGREB, 7 maj /ATSH-AFP/ – Drejtuesit e BE-së siguruan partnerët e Ballkanit Perëndimor për misionin e tyre për t’iu bashkuar familjes europiane me kusht përmbushjen e detyrave.

Bashkimi Europian zhbllokoi 3,3 miliardë euro në mbështetje të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, një pjesë e të cilave janë të destinuara për të zbutur impaktin social-ekonomik të pandemisë.

“Ne kemi një përgjegjësi të veçantë për të ndihmuar në këtë pandemi partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, sepse e ardhmja e tyre është qartësisht në Bashkimin Europian”, deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

“Bashkimi Europian mobilizoi një paketë financiare thelbësore duke konfirmuar solidaritetin e fortë”, theksoi ajo.

“Së bashku ne do ta kapërcejmë këtë krizë dhe do të rimëkëmbemi. Dhe përtej kësaj ne do të vazhdojmë të mbështesim rajonin, përfshirë këtu reformat e nevojshme në rrugën drejt BE-së”, shtoi ajo.

“Bashkimi Europian ka reaguar shpejt dhe në mënyrë globale për të mbështetur Ballkanin Perëndimor në luftën kundër pandemisë së COVID-19, me një ndihmë financiare  të pazakontë”, deklaroi komisioneri europian për Zgjerimin, Oliver Várhelyi.

“Kjo mbështetje shkon përtej asaj që çdo partner tjetër i ka dhënë rajonit dhe ky fakt meriton të njihet publikisht”, nënvizuan liderët europianë në deklaratën e miratuar në fund të samitit të Zagrebit.

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç, mikëpritës i këtij samiti virtual, insistoi në faktin, duke kujtuar se gjeografikisht këto vende nuk mund t’i drejtohen askujt tjetër, përveç se Kontinentit të Vjetër.

Gjatë samitit u theksua se bllokimet serioze duhej të tejkalohen për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Aspirata europiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor është e fortë, por ajo kërkon vazhdimin e reformave, respektimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë, luftën kundër korrupsionit dhe uljen e tensioneve rajonale”, theksoi presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.

“Shteti i së drejtës është kushti i vetëm për anëtarësim”, paralajmëroi presidentja e  Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

“Duhet të ketë përparim në çdo vend”, insistoi ajo.

Kryeministri kroat, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së, paralajmëroi kundër rrezikut për të qëndruar në një situatë pa zgjidhje.

“Ne falënderuam BE për mbështetjen e saj ekonomike”, theksoi presidenti serb Aleksandar Vuçiç pas samitit.

“Por ne do të donim që të flisnim më pak rreth perspektivës të anëtarësimit dhe më shumë rreth procesit të zgjerimit”, shtoi  ai.

Shqipëria, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Serbia janë në faza të ndryshme të procedurës.

Serbia dhe Mali i Zi i kanë hapur negociatat e pranimit vite më parë. Bosnja dhe Kosova nuk kanë ende statusin e kandidatit./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.