Statusi i prokurorëve, parakusht që goditja ndaj krimit të jetë sa më e efektshme

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Në takimin periodik të Mekanizmit Institucional Kuvend-Qeveri- Institucione të pavarura raportuan edhe drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela në fjalën e tij vlerësoi maksimalisht bashkëpunimin me Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku theksoi ai, “kontaktet kanë qenë frekuente dhe nevojat reciproke për informacion dhe bashkërendim të aktiviteteve kanë qenë optimale dhe në përgjigje të duhura”.

Sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar , Çela tha se nga ana e Prokurorisë janë kryer të gjitha hapat për të nënshkruar marrëveshjen me Eurojust, ku Prokuroria e Përgjithshme është pjesë e nënshkrimit të marrëveshjes si dhe të zbatimit të saj, për caktimin e një prokurori ndërlidhës pranë Eurojust-it.

Çela shprehu shqetësimin e tij sa i përket të dhënave statistikore, për të cilat tha se do të jetë sfida  për vitin 2020 realizimi i një sistemi statistikor, por edhe të plotë, i cili do të jetë i dobishëm dhe funksional, jo vetëm për Prokurorinë, por edhe për institucionet e tjera që merren parandalimin e luftës ndaj krimit.

Ndërsa drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi tha se, “qëllimi final i yni është mbështetja e sistemit të Prokurorisë që goditja penale e krimit të jetë sa më e efektshme”.

Natyrisht theksoi ai, “që për të arritur deri këtu kërkohen një sërë parakushtesh. Dhe përgatitja e këtyre parakushteve në një masë të madhe ka të bëjë me statusin e prokurorëve”.

“Nuk mund të ketë goditje efikase penale të krimit në rast se prokurorët që janë ushtruesit e kësaj goditje së bashku me sistemin gjyqësor sigurisht, nuk janë të pavarur, nuk janë profesional, nuk janë etik dhe kështu em radhë”, tha Ibrahimi.

Pikërisht shtoi ai, “këto përbëjnë objektin e punës së KLP. Natyrisht ne jemi organ i ri dhe ne jemi të interesuar për ta vijuar më tej marrëdhënien me Kuvendin në një mënyrë të tillë që të jetë produktive për të dyja palët dhe për shoqërinë”.

/gj.mima//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.