Protokolli i masave higjieno-sanitare në bare e restorante/ Garantim i distancës 1,5 m, nuk lejohen personat me temperaturë mbi 37,5 gradë C

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Në platformën e-Albania është publikuar protokolli i masave që do të zbatohen në bare dhe restorante gjatë kësaj faze dinamike të pandemisë COVID-19.

Në protokollin e publikuar përcaktohet që sipas rastit administratori/personi fizik tregtar/personi përgjegjës i autorizuar kryen çdo ditë vetëvlerësimin personal dhe vlerësimin për prezencën e simptomave të COVID-19 në personat e punësuar.

Në rast të simptomave, protokolli përcakton se nuk duhet lejuar në asnjë rast vijimi i aktivitetit nga personi përkatës dhe duhet të raportohet menjëherë si rast në numrin 127.

Nëse personi shfaq simptoma ndërkohë që është duke punuar apo pas punës, ky person duhet të njoftojë menjëherë mjekun e familjes. Asnjë person me temperaturë mbi 37,5 gradë Celsius nuk duhet të lejohet të hyjë në subjekt.

Për çdo rast personi përgjegjës lajmëron menjëherë strukturat përkatëse, veçanërisht njësinë vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe Institutin e Shëndetit Publik.

Pavarësisht sa më sipër, personat e punësuar kryejnë çdo ditë vetëvlerësimin personal nëse kanë simptoma të COVID-19 sipas çeklistës së miratuar. Në rast të simptomave personi duhet të njoftojë menjëherë 127-ën dhe personin përgjegjës.

Çdo punonjës i bar-kafesë ose restorantit është i detyruar të deklarojë ndaj personit përgjegjës nëse ka patur kontakt me persona të cilët rezultojnë apo kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Çdo punonjës i bar-kafesë ose restorantit që vëren shenja klinike gjatë qëndrimit në banesë nuk duhet të paraqitet në punë dhe duhet të lajmërojë menjëherë subjektin pronar. Punonjësi duhet të telefonojë 127-n dhe mjekun e familjes.

Subjekti i bar-kafesë ose restorantit lejohet të veprojë vetëm në orarin e caktuar nga dispozitat ligjore.

Rekomandohet sa më shumë shërbim shërbim taksi (delivery) në adresë dhe mundësia e blerjes online/telefon.

Vajtja dhe ardhja në punë në këmbë kryhet duke ruajtur distancën 2 metra dhe jo duke krijuar grupime. Për lëvizjen me automjet të zbatohen masat e publikuara nga Policia e Shtetit.

Subjekti bar-kafe ose restorant, duhet të sigurojë vazhdimisht dhe me mjetet e tij në çdo moment, sapun, letër për pastrimin e duarve, maskat, dorezat dhe dezinfektantë për pastrimin e sipërfaqeve si dhe kosha plehrash të mbyllur të cilët duhen pastruar çdo ditë.

Në hyrje subjekti bar-kafe ose restorant, duhet të ofrojë produktin higjienizues të duarve për klientët dhe të kujdeset për rimbushjen e tyre.

Përqindja e substancës aktive duhet të jetë minimalisht 60% alkool. Personeli i punësuar duhet të përdorë në çdo moment dorezat mbrojtëse dhe maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën. Subjekti bar-kafe ose restorant duhet të sigurojë higjienë korrekte të larjes së duarve.

Punonjësit duhet të kryejnë higjienën e duarve rregullisht me ujë dhe sapun për të paktën 20 sekonda. Mund të përdoret një higjienizues për duart me bazë alkooli që përmban të paktën 60% alkool, por ky proces nuk është zëvendësues për pastrimin e duarve me ujë dhe sapun.

Higjiena e duarve duhet të përfshijë këto momente të rëndësishme: para, gjatë dhe pas përgatitjes së ushqimit; pas përdorimit të tualetit; pasi të keni kryer pastrimin e hundëve, pas kollitjes ose teshtitjes; pasi të keni veshur, prekur ose hequr maskën apo mbrojtësen e fytyrës; para dhe pas ndërrimit të punës dhe në mënyrë periodike përgjatë punës; para dhe pas ndërprerjes së punës; pas prekjes së parave ose sendeve që janë trajtuar nga klientët, siç janë qeset ushqimore me një përdorim; para se të vishni dhe hiqni dorezat me një përdorim; të mos prekni sytë, hundën ose gojën; kollitja dhe teshtitja kryhen duke përdorur bryllin apo letër hundësh. Letra hidhet menjëherë në kosh.

Klienti dezinfekton duart në hyrje dhe dalje nga bari ose restoranti me higjienizues me nivel përmbajtje alkooli 60% të vënë në dispozicion nga subjekti.

Subjekti bar apo restorant duhet të garantojë dhe respektojë në çdo moment distancën prej 1,5 metra midis personelit të punësuar dhe këtyre të fundit e klientëve.

Rekomandohet shmangia e parasë “cash” dhe ofrimi i shërbimeve me kartë krediti. Punonjësit e arkës dezinfektojnë duart pas çdo veprimi me “cash”. Nëse pagesa bëhet në arkë subjekti i bar – kafesë ose restorantit duhet të vendosë xham mbrojtës (pleksiglas) midis punonjësit dhe klientit. Punonjësit e shërbimit bar kafe ose restorant nuk duhet të prekin fytyrën, sytë apo maskën pasi të shkëmbejnë para në formatin letër apo monedhë. Në asnjë rast nuk lejohet kontakti fizik mes punonjësve apo mes palëve të treta përfshirë përshëndetjet.

Subjekti bar – kafe ose restorant duhet të vendosë në sipërfaqen e ambientit të hapur tavolinat, në atë mënyrë, që distanca nga pjesa e pasme e një karrige në pjesën e pasme të një karrige tjetër të jetë të paktën 1 m larg, e për rrjedhojë, klientët ta shohin përballë njëri-tjetrin nga një distancë prej të paktën 2 m.

Subjekti bar-kafe ose restorant për të ruajtur distancimin fizik me klientët duhet të sigurojë një korridor të dedikuar për klientët deri në nivelin e arkës dhe një korridor për daljen nga ambienti.

Subjekti bar – kafe ose restorant duhet të vendosë shenjat vizuale në dysheme, shirita me ngjyra, ose shenja për t’u treguar klientëve respektimin e distancës fizike.

Subjekti bar-kafe ose restorant duhet të vlerësojë uljen e orarit të punës për të kryer pastrimin dhe dezinfektimin mjedisor në mënyrë sistematike.
Personat e tretë si furnizuesit dhe shpërndarësit të lejohen vetëm të pajisur me maska dhe doreza mbrojtëse dhe më pas te kryhet dezinfektimi i duarve.
Subjekti bar-kafe ose restorant duhet të sigurojë pastrimin dhe dezinfektimin e sipërfaqeve me nivel të lartë prekje të shpeshta, si: dorezat e dyerve, tavolinat, tabaka shërbimi dhe banakët e lokaleve.

Subjekti duhet të kryejë dezinfektim të ambientit dhe larje para hapjes dhe pas mbylljes të paktën 2 herë në ditë. Sipërfaqet e papastra lahen fillimisht me ujë dhe sapun e më pas dezinfektohen me produktet e tjera. Produktet përdoren nga prodhuesi/shitësi në përputhje me udhëzimet përkatëse të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Punonjësit gjatë punës apo ndërrimit të turneve nuk duhet të përdorin mjetet apo vendin e punës së kolegëve pa kryer dezinfektimin. Subjekti duhet të afishojë posterin informues mbi uljen e riskut të COVID-19 sipas formatit të miratuar.

Subjekti bar-kafe ose restorant duhet të afishojë deklaratën për zbatimin e protokollit për subjektet, sipas formatit të miratuar ku përfshihet detyrimi për vetëvlerësim të simptomave nga personeli i punësuar/administratori/ çdo person tjetër palë e tretë, që hyn e del në ambientet e brendshme sipas formatit të miratuar ku përmendet përgjegjësia administrative apo penale për personin që nuk merr masat sipas detyrimeve ligjore dhe numri jeshil për denoncim.

Subjekti bar-kafe ose restorant të afishojë të plotë protokollin sipas tekstit të miratuar. Materialet e mësipërme afishohen në hyrje të subjektit si dhe në vende të dukshme në brendësi të subjektit bar-kafe ose restorant./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.