Numri i testimeve/ 100% besim tek ekspertët shqiptarë, rezultati është në favor të tyre

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk i bindet Kryeministrit, por i bindet Kryeministri Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Në një intervistë në media, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se testimi i COVID-19 bëhet bazuar në gjurmimin e kontakteve dhe se strategjia është e koordinuar dhe e miratuar nga OBSH.

OBSH, vuri në dukje Kryeministri, ka përfaqësues në vendin tonë, me të cilët bashkëpunojmë.

Falë kësaj strategjie, tha Kryeministri, Shqipëria ka sukses spektakolar në këtë fazë të parë, ndërsa theksoi se në fazën e dytë do të jetë më e vështirë, sepse hapja sjell më tepër risqe.

“Në pozitën dhe rolin që kam unë duhet të jem një nxënës i mirë e i vëmendshëm për të mësuar jo si bëhen testimet, por logjikën e gjërave dhe për të qenë në gjendje të jap përgjigje, kur del përballë një gazetari. Dhashë një përgjigje, bazuar nga ajo që unë di nga ata që merren me këtë punë. Unë them që ai komiteti që ti e quajte komitet parti, sot meriton të gjithë admirimin tim për shkak të rezultatit. Nëse ai do të thoshte se kemi testime të mjaftueshme dhe rezultati do të ishte keq, do të binte një barrë të madhe për ta. Çfarëdo që të thotë partia juaj i merr era”, shtoi Kryeministri Rama gjatë intervistës.

Rama u shpreh se ne jemi gati të përballojmë çdo lloj situate.

“Ia kam thënë kryetarit të partisë tënde, në rast se Komiteti i Ekspertëve deklaron se na duhen 10 mijë teste në ditë, unë i kam siguruar se do t’i gjenim. Numrin e testeve nuk e përcakton PD me 7X7=42, as media, por ekspertët. Faktet flasin vetë”, deklaroi Rama.

Lidhur me akuzat e ngritura nga opozita për sigurimin e mjeteve mbrojtëse për mjekët e infermierët në vijën e parë të fronit, Rama u shpreh se “ne i kishim të siguruara”, sepse, tha Rama, “nëse nuk do t’i kishim patur, situata do të ishte si në Itali, Nju-Jork apo Angli”.

“Nuk kemi asnjë fatalitet dhe mjekët e infermierët ishin të mbrojtur, siç dëshmonte fotografia triumfaliste e një mjeku protestues aktiv të partisë tuaj, i cili nga një anë kishte fotografuar veten si kozmonaut, e nga ana tjetër dilte e fliste për mungesë të mjeteve mbrojtëse për mjekët e infermierët”, deklaroi Kryeministri.

Sipas Kryeministrit, tjetër është realiteti shqiptar dhe tjetër deklaron opozita reale, duke mos pasur lidhje me realitetin shqiptar.

“Unë i besoj 100% ekspertëve tanë dhe rezultati është në favor të tyre”, deklaroi Kryeministri.

Rama siguroi se qeveria i kishte filluar përgatitjet për t’u përballur me situatën me kohë. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.