Nis hartimi i protokollit për hapjen e transportit publik/ Nuk do të lejohet rritja e çmimit të biletave

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhe bën të ditur se nuk do të ketë rritje të çmimit të biletave të transportit për qytetarët.

Në një intervistë në media, Gonxhja u shpreh se do të shqyrtohen një sërë mundësish për të mbështetur kategorinë e transportit të pasagjerëve, por nuk do të lejohet rritja e çmimit.

“Nuk mund të ketë rritje të çmimit pa u konsumuar të gjitha llojet e mënyrave që ne duhet të konsumojmë për të ndihmuar njëri-tjetrin. Mund të ketë rimbursime, mund të ketë përpjekje për subvencione të pjesshme apo pagesa për kilometër. Biletat nuk mund të rriten dot as se e thotë një kryetar shoqate dhe as se e thonë pronarë kompanish”, shprehet drejtori i DPSHTRR.

Një ditë më parë kreu i shoqatës së transportit ndërqytetas tha se do të kërkojnë rritje të çmimit të biletave.

Më tej, Gonxhe u shpreh se DPSHTRR ka bërë një sërë propozimesh mbi sigurinë e funksionimit të këtij transporti për pasagjerët dhe stafin.

“Kemi propozuar që të jenë me kapacitet 1/3 apo 1/2 për shumicën e këtyre autobusëve, do të ndahet hyrja e parë nga hyrja e dytë, ka raste që shoferi duhet të izolohet nga pjesa tjetër e autobusit, do të shmanget absolutisht pjesa e fatorinos dhe ky është një problem kyç, dhe duhet bashkërenduar me policinë bashkiake”, tha Gonxhe./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.