Grupe shtegtare të çafkës së purpurt në zonën e peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Vrojtime shumë interesante vijnë sërish nga zona e peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë.

Studiuesit e organizatës për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit natyror në Shqipëri (PPNEA) kanë hasur këtë vit, si asnjëherë më parë grupe shtegtare të çafkës së purpurt (Ardea purpurea).

Ky lloj është përgjithësisht tepër i ndrojtur dhe kërkon hapësira shumë të qeta dhe që ofrojnë mundësi të mira për t’u fshehur dhe ushqyer. Pa dyshim, edhe pse shumë të vogla, këto hapësira mund të gjenden ende në zonën e peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë dhe fakti i vëzhgimit të çafkës së purpurt e vërteton këtë.

Ky lloj aktualisht nuk folezon në vendin tonë por shpresojmë që kjo të ndodhë së shpejti; Vjosë-Narta ofron habitate të përshtatshme që ky lloj zgjedh për të ngritur folenë e tij.

/a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.