COVID-19/ Mbështetja financiare, 5,41% e PBB-së; 63 042 punonjës kanë marrë “pagën e luftës” deri tani

TIRANË, 7 maj/ATSH-Gjergji Mima/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se mbështetja e qeverisë për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 në vendin tonë ka qenë 5,41% e PBB.

“Instituti i Studimeve Ndërkombëtare të Vjenës, i cili është një institut shumë prestigjioz dhe që flet për gjerësinë e mbështetjes në raport me Prodhimin e Përgjithshëm Bruto, thotë: Më 16 prill (mos harrojmë që jemi para paketës së dytë), Shqipëria 3,2%. Bosnjë-Hercegovina 3,3%, Bullgaria 2,4%, Republika Çeke 3%, Kosova 3,1% dhe më pas vazhdon me Lituaninë e këto të tjerat”, tha Rama në një intervistë televizive.

“Fondi shtesë për sektorin e shëndetësisë 0,15%, mbështetja e biznesit të vogël, të vetëpunësuarve që janë detyruar të mbyllin aktivitetin e tyre etj etj 0,39%. Mbështetja për të papunët në bizneset dhe industritë më të prekura 0,42%, rritja e shpenzimeve të emergjencës për ndihmat humanitare 0,12%, pagesa e tatimfitimit për ndërmarrjet e vogla, 0,02%, fondi i garancisë 0,66%, qeveria për kosto e interesit 0,02%, fondi i garancisë së pjesshme për kompanitë e prekura 1,79%, heqja e kamatëvonesave 0,89% etj. Në fund del 5,41%. Që të jemi të qartë. Ky është kontributi i qeverisë shqiptare. 5,41% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar”, tha Rama.

I pyetur se sa para kanë marrë shqiptarët cash nga pagat e luftës, Rama tha se, “po të jap të përditësuar shifrat e ditës së djeshme. Të sotmen e kisha, por nuk e kam parë akoma. Deri dje, për paketën e parë, kemi 69 532 aplikime dhe 63 042 punonjës që kanë marrë paratë dhe i kanë në xhep”, tha Rama.

Rama tha se, “vlera e paguar në transhin e parë, se janë tre transhe për punonjësit e paketës së parë është sot që flasim 1 miliard e 571 milionë e 622 mijë lekë të reja. 2950 persona të tjerë janë aktualisht për t’u paguar se janë bërë verifikime ankesash”.

“Më pas problemi i madh i këtij procesi është se disa që ankohen kanë çuar llogaritë bankare gabim kështu që po ripërsëritet dhe e dyta kemi problemin e tatimpaguesve që nuk kanë bërë aplikimin si duhet”, tha Rama.

“Vazhdojmë me paketën e dytë janë aprovuar për 31 mijë e 445 subjekte dhe faktikisht janë 102 mijë individë. Në total numri i përgjithshëm i tyre që kanë marrë pagë sot që flasim është afro 150 mijë”.

“65 milionë dollarë është mbështetja për bizneset e vogla, që shkojnë për paketën e parë. 7 miliardë e 40 milionë është e dyta, që është paketa e 400 mijë lekëshit. Të dyja bashkë këto janë pagesa direkte nga shteti”, theksoi kryeministri.

“Vazhdojmë me kamatëvonesat se janë para, të cilat do i paguajnë, por nuk ua merr shteti. Kamatëvonesat janë 15 miliardë lekë, 150 milionë dollarë të tjera që janë para që rrijnë në xhepat e tyre. 150 milionë të tjera, janë tatimfitimi për biznesin që janë të falura. Tani çfarë janë këto kur unë them që unë si shtet do t’i fal këto nuk quhet kjo mbështetje”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.