VJENË – Borrel: BE post-COVID-19 duhet të sigurojë pavarësinë shëndetësore

VJENË, 6 maj /ATSH-AFP/ – Europa duhet të nxjerrë mësime nga kriza e koronavirusit të ri duke siguruar autonominë e saj strategjike në sektorët kyç si prodhimi i medikamenteve, që duhet të përfshijë krijimin e stoqeve apo edhe zhvendosjen e prodhimit, theksoi kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell.

“Nuk është normale që Europa të mos prodhojë një gram të vetëm paracetamol dhe që Kina përqendron 80% të prodhimit botëror të antibiotikëve”, deklaroi Borrell në një intervistë për disa të përditshme europiane, përfshirë dhe gazetën austriake “Die Presse”.

“Deri tani, mendohej se nuk kishte rëndësi se ku prodhoheshin produktet, se një treg global do t’i furnizonte të gjithë, në çdo kohë, kudo”, shtoi përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Çështjet e Jashtme duke nënvizuar se në kohë krize, kjo doli të jetë e rreme.

Kriza shëndetësore e lidhur me shfaqjen e koronavirusit të ri në Europë ka bërë që të rritet kërkesa për disa medikamente dhe ka shkaktuar ndërprerje në zinxhirët e furnizimit.

“Aktualisht, 80% e substancave aktive të përdorura për medikamentet në BE vijnë nga vendet e treta, India dhe Kina duke u përqendruar vetëm tek ato 60% e vendeve”, sipas një raporti të senatit francez.

“Nuk po them që të gjithë duhet të prodhojnë gjithçka në vendet e tyre (…) por zinxhiri i furnizimit duhet të jetë më i shkurtër. Pse nuk ka qendra prodhimi afër?”, ngriti pyetjen Borrell.

“Pandemia ka treguar gjithashtu nevojën për stoqe strategjike të furnizimeve mjekësore, në të njëjtën mënyrë që aktualisht ekzistojnë stoqe strategjike të naftës”, sipas diplomatit.

“Për të arritur këtë ‘autonomi strategjike’, ekzistojnë shumë mënyra për të ndikuar në vendimet e biznesit të madh”, nënvizoi shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.