Thaçi-Michel: Samiti i Zagrebit mesazh për Ballkanin Perëndimor

PRISHTINE, 6 maj /ATSH/ -Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, zhvilloi një telefonatë me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Zagrebit që do të mbahet sot pasdite, nën organizimin e Kroacisë si kryesuese e radhës e BE-së.

Presidenti Thaçi dhe presidenti Michel u dakordësuan që BE-ja duhet të vazhdojë angazhimin për perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen europiane dhe se mesazh pozitiv në këtë drejtim është edhe mbajtja e Samitit të Zagrebit.

Presidenti Thaçi kërkoi që shtetet anëtare të BE-së të marrin sa më parë vendimin për liberalizim të vizave.

Dy liderët u pajtuan se përkundër rrethanave të pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID-19, angazhimi për forcimin e demokracisë në Kosovë dhe garantimin e punës së institucioneve të pavarura është jetik.

Po ashtu, nga të dy palët u theksua rëndësia e bashkëpunimit rajonal dhe koordinimit të BE-së me shtetet anëtare dhe aktorët e tjerë që kanë rol në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë./KosovaPress//e.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.