Kurbin/ Pandemia nuk e ul ritmin e punës për Rindërtimin, projektet do të sjellin transformim rrënjësor

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste, Lindita Nikolla deklaroi sot se pandemia nuk e ka ulur aspak ritmin e punës për rindërtimin në Kurbin dhe se projektet që qeveria do të zbatojë në Kurbin do të shënjojnë një transformim rrënjësor.

Deputetja Nikolla zhvilloi sot një takim me kryetaren e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara ku u njoh me situatën si dhe masat që po zbatohen për të frenuar përhapjen e COVID-19.

Tërmeti i 26 nëntorit, u shpreh Nikolla, e vendosi Kurbinin ndër bashkitë më të dëmtuara. “Kryetarja dhe skuadra e saj ditë dhe natë ishte në krye të punës për akomodimin dhe ndihmën ushqimore ndaj familjeve të dëmtuara”, tha Nikolla.

Por vuri në dukje ajo, pandemia nuk e ka ulur aspak ritmin e punës për rindërtimin. “Projektet që qeveria do të zbatojë në Kurbin do të shënjojnë një transformim rrënjësor”, deklaroi Nikolla.

Kurbini shënon 32 të prekur nga COVID-19. Deri tani të prekurit kanë shfaqur simptoma të lehta.

Kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Cara e informoi deputeten Nikolla mbi operacionin humanitar për mbështetjen e familjeve në vështirësi, dezinfektimin e rrugëve, si dhe sistemimin e tregut ushqimor. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.