FRANCË – Le Maire: Vendimi i gjykatës gjermane për BQE-në nuk është element stabiliteti

PARIS, 6 maj /ATSH-AFP/ – Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, u shpreh sot se vendimi i gjykatës gjermane për të vendosur një ultimatum ndaj Bankës Qendrore Europiane, për të justifikuar blerjet e saj të borxhit, nuk ishte një element stabiliteti.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Karlsruhe-s nuk është një element stabiliteti”, reagoi ministri në një deklaratë dërguar shtypit, duke kujtuar se traktatet europiane garantojnë pavarësinë e BQE-së.

“Ajo merr vendimet e saj në mënyrë të pavarur dhe vendos për kushtet e ushtrimit të mandatit të saj nën kontrollin ekskluziv të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Europian (CJEU), e cila është mbrojtëse e traktateve”, theksoi ai.

Ministri shtoi, gjithashtu, se Banka Qendrore Europiane është e pavarur në gjykimin e asaj që është e nevojshme për sa i përket sjelljes së politikës monetare në zonën e euros, në një përgjigje ndaj kërcënimit të gjyqtarëve gjermanë për të ndaluar bankën qendrore gjermane, Bundesbank, për të marrë pjesë në blerjet e borxhit publik./ /ervo/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.