Riatdhesimet/ Balluku: 4 600 persona të kthyer deri tani, vetëkarantinim në shtëpi pas 11 majit

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës  dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se deri tani janë riatdhesuar rreth 4 600 persona dhe ky proces po vijon.

Gjatë një interviste televizive Balluku shpjegoi se pas datës 11 maj do të ketë lehtësim të riatdhesimeve, pasi nuk do të ketë karantinim në hotel, por personat do të vetëkarantinohen në banesat e tyre.

“Të riatdhesuarit duke nisur që sot, pasi mbërrijnë në aeroportin e Rinasit ndahen në dy grupe. Ata që vijnë nga zonat e kuqe vetëkarantinohen në shtëpi dhe banorët e zonave të gjelbra shkojnë në hotele. Ndërsa ata që janë të karantinuar në hotele, nuk do të ndërpresin procesin dhe do ta përfundojnë karantinën në hotel, pasi ata kanë ardhur nga jashtë, në një kohë kur situata në këto vende, ka qenë më e ndezur për sa i përket rasteve dhe përhapjes së COVID-19”, – tha Balluku.

Ministrja  u shpreh se, ka pasur riatdhesime ndërkontinentale. “Kemi kthyer çiftin nga Bangkoku pas shumë peripecish, kemi kthyer 100 persona nga SHBA dhe Kanadaja. Ndërkohë që ditën e enjte do të vijnë 120 persona nga SHBA. Ka pasur një listë me rreth 256 persona, kërkesat e shumicës janë plotësuar, janë riatdhesuar”, – tha Balluku.

Lidhur me riatdhesimet nga Dubai, Balluku shpjegoi se, nuk na rezulton të kemi kërkesa. Ndërsa nga Arabia Saudite po shihet mundësia e riatdhesimit përmes linjës ajrore turke. Sipas saj, fluturimet e riatdhesimit nuk kanë lidhje me biletat e riskeduluara, biletat që kanë pasur qytetarët më parë.

Ndërkohë, Balluku sqaroi se të gjithë qytetarët që kanë ndenjur në dhoma dyshe, duke qenë një person, do të marrin lekët mbrapsht që kanë paguar tepër.

Lidhur me hapjen e kufijve, ministrja Balluku  tha se, kjo nuk është çështje e qeverisë shqiptare, por duhet të ketë një koordinim të ndërlidhur mes vendeve.

“Gjasat janë që brenda qershorit lëvizjet aeroportuale të jenë lokale pra të jenë brenda shteteve dhe të ketë një hapje më të gjerë në shtator. Marrëveshjet bilateriale në fushën e turizmit do të funksionojnë. Qeveria shqiptare po punon me dy apo tre shtete që përdorin Adriatikun dhe do të kryhen në bazë të një protokolli të caktuar. Qëndrimi i turistëve do të bëhet sipas një protokolli të përbashkët shumë të detajuar”, – tha ajo.

Ajo informoi se në kushtet e masave COVID-19,  funksionon vetëm porti i Durrësit. Shpresojmë, tha ajo, që pas datës 18 maj me stabilizimin e situatës të hapim portin e Vlorës. Lidhur me ndikimin e COVID-19 në sektorin e aviacionit Balluku tha se, protokollet e reja në këtë sektor do të rrisin kostot dhe kohë qëndrimin në aeroporte.

Ajo tha se riatdhesimi nga Kosova është kryer në bashkëpunim të plotë me ambasadën e Kosovës  ndërsa nuk ka filluar riatdhesimi nga Greqia.

“Të gjithë të riatdhesuarit konsiderohen pacientë ndaj dhe do të karantinohen”, tha ajo. Ministrja informoi se për riatdhesimet nga vendet nordike mund të aksesohet në datën 9 maj linja nga Zyrihu. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.