Qeveria kishte të drejtë për boshllëqet ligjore/ Ndryshimet, më të kujdesshme se Kodi Penal i Danimarkës

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Presidenti i Republikës Ilir Meta u shpreh lidhur me ndryshimet në Kodin Penal, se i ishte kërkuar bashkëpunim nga qeveria dhe parlamenti.

Në një intervistë televizive Meta tha se i gjithë spekulimi bëhet sa i takon sjelljes së presidentit, se akti është i shkëlqyer. “Kapen gjoja te procedura, sepse Kushtetuta nuk e parashikon ndryshimin e Kodit Penal në një situatë të tillë. Sërish me këtë çështje spekulohet, pasi procedura kishte nisur me parë, qysh me ndryshimet e dhunës në familje”, – u shpreh Meta.

“Ndodhi kjo situatë dhe qeveria kishte një të drejtë që Kodi Penal kishte një boshllëk. Përndryshe do të kishte një arbitraritet. Këtu kemi dy nene ku procedura është kjo dhe mund të hahet një debat, por kishte një boshllëk dhe ishte e logjikshme”, – tha ai.

“Ne i dërguam propozime mazhorancës për ndryshime të draftit të parë dhe ajo që mund të them me plot bindje sot është që ajo që është miratuar është më e kujdesshme se Kodi Penal i Danimarkës”, – u shpreh Meta.

Ai deklaroi se ky bashkëpunim iu kërkua nga qeveria dhe parlamenti. “Unë mund ta kisha kthyer dhe do të kisha fituar duartrokitje, por qeveria do ta kishte miratuar dhe do të thellohej polariteti”, – u shpreh Meta.

“Me bindje të plotë ju them se ajo që është miratuar në dy nenet e Kodit Penal është edhe më e kujdesshme sesa Kodi Penal i Danimarkës. Bashkëpunimi iu kërkua presidentit nga qeveria e parlamenti. Presidenti do ta kishte kthyer dhe do të kishte marrë shumë duartrokitje, por mazhoranca do ta kalonte dhe në kushtet kur nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, do të hynin në fuqi menjëherë. Situata do të polarizohej edhe më shumë, arbitrariteti do të ishte shumë i madh. Pa asnjë diskutim që formulimet që janë bërë janë më të kujdesshme se standardet e Kodit Penal të Danimarkës”, – tha Presidenti Meta. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.