Programi i vetëpunësimit/ Qeveria mbështetje financiare për të papunët e regjistruar me ide biznesi

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Ministria e Financave dhe Ekonomisë po synon të mbështesë përmes një programi vetëpunësimi, të papunët e regjistruar që kanë një ide biznesi.

Programi subvencionon për të gjithë të përzgjedhurit si përfitues grantin për ngritjen e biznesit deri në masën 500 mijë lekë.

Ky program ka si qëllim nxitjen e vetëpunësimit nëpërmjet krijimit të sipërmarrjeve të reja të punëkërkuesve të papunë të interesuar. Ai zbatohet dhe administrohet nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA).

Për të aplikuar në këtë program, aplikuesi duhet të jetë punëkërkues i papunë i regjistruar në strukturën vendore të punësimit, të këtë një ide biznesi, e cila nuk është në kundërshtim me kriteret e konkurrueshmërisë, të përcaktuara në dispozitat e Kodit të Punës dhe që deklarohet në bazë të një formulari të posaçëm, i cili përmban përshkrimin e idesë së biznesit, rëndësinë, burimet e nevojshme për realizimin e biznesit si dhe vlerësimin e gjendjes së mjediseve ku do të zhvillohet biznesi.

Një punëkërkues mund të përfitojë vetëm një herë nga ky program. Ministria e Financave dhe Ekonomisë si përgjegjëse për çështjet e punësimit përcakton çdo vit prioritetet për programet e nxitjes së punësimit sipas zonave gjeografike, sektorëve ekonomikë dhe nevojave të punëkërkuesve./a.gjonaj/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.