Ndërhyrje e rrallë në zemër tek një i porsalindur/ Ekipi i kardiokirurgjisë në QSUT punë pa ndërprerje për të shpëtuar jetë

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është kryer një ndërhyrje e rrallë në zemër tek një bebe e porsalindur.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e cila nënvizoi se operacioni tejet i vështirë, i këmbimit arterial në zemrën e një bebeje të porsalindur, u bë i mundur me një metodë të re bashkëkohore të realizuar me sukses nga dr. Altin Veshti, dr. Arben Baboçi, dr. Saimir Kuçi dhe dr. Alfred Ibrahimi.

Sipas saj, pavarësisht situatës të vështirë të krijuar nga epidemia e COVID-19, stafet tona të kualifikuara mjekësore nuk e kanë ndalur punën asnjë moment.

“Një ndërhyrje e rrallë në zemër, që kryhet veçse në klinikat më të mira të kardiokirurgjisë në botë është realizuar sot në QSUT falë talentit dhe eksperiencës të dr. Altin Veshtit, dr. Arben Baboçit dhe anestezistëve dr. Saimir Kuçi dhe dr. Alfred Ibrahimi”, u shpreh Manastirliu.

“Operacioni tejet i vështirë, i këmbimit arterial në zemrën e një të porsalinduri, u bë i mundur me një metodë të re bashkëkohore të realizuar me sukses nga mjekët tanë”, theksoi ajo.

“Edhe në kohë pandemie, ekipi i kardiokirurgjisë në QSUT, është në vijën e parë për të shpëtuar jetë. Shërbimi shëndetësor nuk ka ndalur për asnjë moment, për t’i garantuar qytetarëve shërbimet për të cilat ata kanë nevojë, në kohë dhe me cilësi, nga stafi i kualifikuar i spitaleve tona!Bashkë”, -tha ministrja Manastirliu. z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.