Mitrovicë/ Mirëpritet lehtësimi i masave, vlerësohen si të domosdoshme edhe për ekonominë 

PRISHTINE, 5 maj /ATSH/ -Qytetarët e Mitrovicës kanë mirëpritur zbutjen e masave nga ana e qeverisë, pas kufizimeve strikte të ndërmarra javë më parë në lidhje me pandeminë.

Ata thanë se lehtësimi i masave ka ardhur në momentin e duhur sepse shërbejnë për shumë sfera të jetës, ndërsa njohësit e ekonomisë vlerësojnë se këto janë të mirëseardhura edhe për këtë fushë.

Një qytetar nga Mitrovica, bëri të ditur për KosovaPress se masat e reja të qeverisë kanë qenë të nevojshme dhe janë marrë në momentin e duhur.

Sipas tij, këto masa përveç se do të shërbejnë për lëvizjen e qytetarëve, do të shërbejnë me theks të veçantë për  ekonomisë.

Ai shtoi se përkundër faktit që rreziku i madh nga pandemia pothuajse ka kaluar, qytetarët duhet të jenë ende vigjilentë, të kenë kujdes dhe t’i respektojnë të gjitha masat e IKSHP-së.

Po ashtu dhe një qytetar tjetër nga Mitrovica, u shpreh  se zbutja e masave të reja ndaj koronavirusit do t’i shërbejë të gjitha sferave të jetës, sidomos ekonomisë.

Në anën tjetër, eksperti i ekonomisë, Shukri Gashi, tha se masat e reja të qeverisë janë marrë pikërisht në kohën e duhur. Ai theksoi se ato do të jenë në të mirë të ekonomisë në radhë të parë, si dhe të vendit në përgjithësi.

Gjithashtu Gashi tha se një pjesë e humbjeve do të kompensohen nga qeveria e Kosovës dhe BE-ja, përmes granteve ose kredive me kushte të përshtatshme, dhe ky kompensim do të jetë i kënaqshëm për bizneset.

“Sipas mendimit tim është koha e duhur për masat të cilat kanë filluar të ndërmerren, është për të mirën e ekonomisë, Mitrovicës dhe vetë Kosovës… Për humbjet nuk kemi bërë ndonjë analizë në nivelin lokal, besoj se qeveria do të bëjë një lloj analize në të ardhmen ku do t’i përcaktojë humbjet, edhe pse një pjesë e humbjeve do të kompensohen nga qeveria, po ashtu edhe ndihmat nga BE-ja dhe shtetet e tjera do të mund të përdoren si lloj asistence për këto biznese dhe besoj se pas kalimit të kësaj situate, ndoshta jo 100%, por një pjesë e madhe e këtyre humbjeve do të mbulohen nga masa e qeverisë e pakos fiskale, si dhe ndihmat e tjera që do të vijnë nga BE-ja dhe grantet apo kreditë me kushte të përshtatshme nga shtetet tjera… Nuk besoj se bizneset do të vërejnë humbjen e madhe të qarkullimit dhe fitimit të tyre, do të ketë humbje si në të gjithë botën, megjithatë kompensimi do të bëhet në nivel të kënaqshëm”, sqaroi Gashi për KosovaPress.

51 persona janë arrestuar të hënën në Mitrovicë për mosrespektim të vendimeve qeveritare. Në raportin e Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se arrestimi ka ndodhur në dy lokale të cilat ishin hapur dhe të njëjtat kanë pranuar klientë.

Në lidhje me zbutjen e masave ndaj COVID-19 në Kosovë, që për synim ka të lirohet ekonomia, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ditë më parë tha se masat e reja janë planifikuar në tri faza dy javëshe, ku faza e parë fillon më 4 maj, e dyta më 18 maj ndërsa e treta më 1 qershor./KosovaPress//e.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.