“Distancimi social i rëndësishëm”, Kalo: Druajtje për një valë të dytë infektimesh nëse nuk ka vetëndërgjegjësim për masat

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Tritan Kalo, mjek infeksionist pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” tha sot se kurba e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri, shpjegohet mbi bazën e dy elementëve kryesorë.

“Të ulim pak panikun tek njerëzit. Do ta konsideroja më mirë një sfidë me një infeksion të rëndë, sesa një luftë. Një përplasje me këtë infeksion deri dje të panjohur, por që sot pak a shumë, pak nga pak po i zbulojmë të panjohurat. Kurba në kuptimin epidemiologjik është pak e çuditshme, por në aspektin evolutiv mund të shpjegohet mbi dy gjëra: mbi presionin që ushtrohet në rastin e evolucionit, zhvillimit të të sëmurëve nisur nga masat e marra të vetë njerëzve, pra vetëkujdesja, higjiena, izolimi, ushqimi e të gjitha me radhë dhe kufizimi që ka bërë të vetën”, u shpreh Kalo.

Lidhur me ndryshimin e numrit të të infektuarve, Kalo u shpreh se “duke testuar persona që janë kontakte apo që kanë treguar shenja klinike, duke e zgjeruar pak shtohet edhe numri i tyre. Në aspektin epidemiologjik të përcaktimit të rasteve që testohen e përcaktojnë më mirë epidemiologët, sepse janë ata që shkojnë aty dhe rastet izolohen. Janë ata që shohin, studiojnë më mirë personat që kanë qenë në kontakt dhe janë persona të rrethit të parë dhe cilat janë ato persona të rrethit të dytë që kanë qenë kontakte të kontakteve. Sa është numri i tyre real? Shifrat i dinë epidemiologët. Ne kemi vetëm shifrat prej tyre”.

Mjeku argumentoi se pas lehtësive të krijuara nga qeveria, pra fazës së hapjes, qytetarët duhet të tregohen tejet të kujdesshëm në respektimin rigoroz të masave. “Unë i trembem ndaj drejtoj dhe kam drejtuar çdo ditë apelin, sa herë më jepet mundësia për të dhënë ndihmën dhe kontributin tim si mjek, sepse izolimi brenda dy muajve ka bërë që numri i kontakteve të njerëzve ka qenë brenda rrethit apo brenda mjediseve familjare që mund të ketë pasur ndonjë të infektuar, por jo në mjedisin e jashtëm, me njerëz që mund të jenë mbartës së virusit. I trembem nëse nuk zbatojmë ato masa që kemi për vetëndërgjegjësim, kufizim, distancim me njëri-tjetrin, të higjienës, ushqimin e mirë, ajrimin e mirë, rehidrimi që ka shumë rëndësi i organizmit. Frika është vetëm tek një valë e dytë. I druhet Gjermania, i druhet Kina që ka 24 orë që nuk raporton asnjë të infektuar e asnjë të vdekur, asaj që mund të quhet valë e dytë, pra një rikthim i një vale nëse këto elementë të vetërespektimit të shkelen ose të tejkalohen”, u shpreh Kalo.

I pyetur nëse koronavirusi do të ketë një rikthim në vjeshtë, Kalo tha se ky i fundit është një keqkuptim. “Ka një keqkuptim në lidhje me vjeshtën. Në vjeshtë nuk ka vetëm koronavirus. Vjeshta sjell me vete edhe gripërat e lehtë të cilat nuk janë vetëm infeksione të lidhura vetëm me gripin, por janë infeksione me dhjetëra, sepse numërohen midis 70 dhe 250 viruseve dhe futen në skemën e infektimit të popullatës në atë kohë që mund të jetë e prekur edhe nga koronavirusi. Koronavirusi nuk ka një simptomatologji apo shenja klinike tejet të veçanta nga rrufa dhe mes tyre është vështirë që të bëhet dallimi, nëse nuk testohen. Në vjeshtë nuk do të ketë kthim, por vijimësi të rasteve të përziera me të sëmurë me infeksione të tjera respiratore të asaj stine”, u shpreh Kalo. z.tosku/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.