5 Maji/ Lleshaj: Të përkushtuar që vepra e tyre të vijohet më tej nga brezat e sotëm të Policisë së Shtetit

TIRANË, 5 maj/ ATSH-A. Fortuzi/ Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë përkushtim të plotë që vepra e punonjësve të policisë të rënë në detyrë, të vijohet më tej nga brezat e sotëm të Policisë së Shtetit për më shumë qetësi e siguri.

Me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut, pranë Memorialit në Akademinë e Sigurisë, u zhvillua ceremonia në nder të punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës, ku morën pjesë ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, familjarë të të rënëve dhe drejtues të lartë të Policisë.

Pasi vendosi kurorë me lule në nder të kujtimit të të rënëve, ministri Lleshaj u shpreh se 5 Maji i këtij viti na gjen në një situatë disi të pazakontë. “Është hera e parë ndoshta në harkun e shumë dekadave, që 5 Maji përkujtohet me një pjesëmarrje fizike të pakët të njerëzve. Por nga ana tjetër besoj fort, se ne sot jemi këtu shumë herë më tepër përmes pranisë tonë shpirtërore”, – thekson Lleshaj.

“Besoj që këtu është e gjithë Policia e Shtetit, janë të gjithë shqiptarët që nderojnë sot heronjtë e tyre dhe ne kemi nderin që të përulemi para veprës, para sakrificës të punonjësve të Policisë së Shtetit, 224 punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët dhanë jetën për të plotësuar misionin e tyre të lartë. Me këtë rast i kam shprehur mirënjohjen më të thellë të gjithë familjeve të Dëshmorëve të Atdheut, pra, të familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë dhënë jetën në krye të detyrës”, – vijon Lleshaj.

“E kam shprehur dhe shpreh angazhimin tim, të Policisë së Shtetit, të Ministrisë së Brendshme, për të punuar me të gjithë intensitetin dhe me të gjithë përkushtimin që vepra e tyre të vijohet më tej nga brezat e sotëm të Policisë së Shtetit, në mënyrë që Policia e Shtetit të prodhojë më shumë qetësi, siguri dhe kushte normale për jetën e qytetarëve dhe kurrë mos të kemi sakrifica të panevojshme nga radhët e Policisë së Shtetit.
I përjetshëm qoftë kujtimi i Dëshmorëve të Atdheut!” – përfundoi Lleshaj./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.