Siguria ushqimore/ 390 kontrolle dhe monitorime për protokollin e masave

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme kontrollet në të gjithë vendin për garantimin e sigurisë ushqimore dhe monitorime në kuadër të taskforcës kundër përhapjes së COVID-19.

Sipas AKU-së, janë kryer 390 kontrolle zyrtare dhe monitorime.

“Në Korçë janë bllokuar 100 kg kos dhe 50 kg djathë kaçkavall në një stabiliment përpunim qumështi, pasi përgjigjet e analizave për mostrat e marra kanë rezultuar pozitiv për enteriobakterie dhe E.Coli, sasi kjo e destinuar për asgjësim. Në 2 subjekte në Tiranë është bërë asgjësimi i 4,5 tonë produkteve ushqimore me kërkesë të vetë subjekteve, ndërsa në Fier është marrë një masë administrative me “paralajmërim”, si dhe në kuadër të Planit të Mostrave janë marrë 16 mostra (domate, kastravecë, patate dhe speca) për analizim”, informoi AKU.

Gjatë inspektimeve në Shkodër, Berat, Fier dhe Dibër, AKU bën të ditur se janë dhënë këshillime dhe lënë detyra ndaj subjekteve që nuk kanë plotësuar protokollet e sigurisë, si mungesën e xhamit mbrojtës, mungesën e sinjalistikës për distancimin fizik, si dhe afishimin e posterave.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguron se do të vijojë kontrollet në të gjithë vendin, në garantim të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve.

/a.gjonaj/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.