Reforma Zgjedhore/ Bardhi: Duhet të mbyllet një orë e më parë

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh se, “Reforma Zgjedhore duhet të mbyllet një orë e më parë”.

Bardhi tha në një intervistë televizive se, “nuk ka pasur ndonjë kërkesë apo ndonjë njoftim për mbledhje të Këshillit Politik dhe opozita të ketë refuzuar vajtjen apo marrjen pjesë në një mbledhje të tillë”.

“Përpara se zoti Gjiknuri të kërkojë nxitjen e opozitës, do të duhet të shqyrtojë propozimet e paraqitura nga opozita tashmë në Këshillin Politik, për të cilat nuk ka vendimmarrje”. Ne as nuk i jemi larguar dialogut as nuk do t’i largohemi kësaj tryeze për të përmbyllur një orë e më parë reformën”, u shpreh Bardhi.

I pyetur për ftesat e mazhorancës, Bardhi tha se, “thirrja ime për mazhorancën është që të mos bëhet pengesë për të realizuar një reformë reale zgjedhore, për të garantuar standarde për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të heqë dorë nga manovrat për manipulimin, vjedhjen apo blerjen e zgjedhjeve”.

I pyetur për skadencën e re të fundqershorit, Bardhi tha se, “ka patur një zvarritje tërësore të procesit nga ana e mazhorancës, mungesë vullneti për të shqyrtuar propozimet e opozitës dhe tani shohim një afat të ri. Qëndrimi jonë ka qenë dhe mbetet: Reforma Zgjedhore duhet të mbyllet një orë e më parë”.

/gj.m//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.