Lehtësimi i masave shtrënguese/ Kalo apel qytetarëve: Mos e përkeqësoni shkallën e përkujdesjes ndaj vetes suaj

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Mjeku infeksionist pranë shërbimit infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tritan Kalo i ka bërë apel qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të ruhen nga virusi në kuadër të lehtësimit të masave nga ana e qeverisë.

Përmes një mesazhi, Kalo thotë se ende nuk është përshkruar gjysma e rrugës me këtë sëmundje, ndaj qytetarët duhet të rrisin vigjilencën e tyre duke ruajtur distancat fizike dhe higjienën personale.

“Bashkëqytetarë ju drejtohem nga Urgjenca e Infektivit këtu në QSUT, ose ndryshe COVID- 19. Ju drejtohem me thirrjen që me hapjen e masave të mos liberalizoni ose të mos përkeqësoni shkallën e përkujdesjes ndaj vetes suaj sepse ende në mos në gjysmën e rrugës pa e përshkruar këtë rrugë dhe kemi ende sfida të tjera për t’u përballur në të ardhmen.Deri tash, vetëndërgjegjësimi, kujdesi ndaj vetes, kujdesi ndaj të tjerëve, higjiena personale, higjiena kolektive, ushqyerja e shëndetshme, respektimi i rregullave që dalin dhe lëvizin në mjedise publike, jo vetëm që duhen vlerësuar por theksuar gjithmonë e më tej sepse COVID-19, ende nuk e ka shfaqur tablonë e plotë të problematikave që ka. Ju duam dhe ju respektojmë”, – thotë profesor Kalo.

Nga dita e sotme, plani i masave lehtësuese shton “zonat e gjelbra” me 18 bashki të tjera, që konsiderohen me risk të ulët për përhapjen e infeksionit.

z.tosku/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.