Gjoba për bizneset që nuk aplikojnë për pagat e punonjësve, Ibrahimaj: Do të nisim menjëherë zbatimin

TIRANË, 4 maj/ATSH/- Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se 60 447 individë do të marrin “pagën e dytë të luftës” brenda kësaj jave, ndërsa për 5 mijë individë të tjerë punëdhënësit ende nuk kanë aplikuar për ta përfituar këtë pagë.

Në një intervistë në media, Ibrahimaj tha se ne kemi rihapur thirrjet për t’u dhënë mundësi këtyre 3 800 subjekteve të aplikojnë në mënyrë që edhe 5 mijë të punësuarit e tyre të marrin “pagën e luftës”.

“Afati mbyllet nesër, ndërsa deri tani kanë aplikuar 1 300 biznese. Për të aplikuar nevojitet vetëm numri i llogarisë bankare për punonjësin. Ne duam të sigurohemi që të gjithë ata punonjës që u është mbyllur aktivitet të marrin “pagën e luftës”. Mund ta shtyjmë aplikimin edhe për 1 ose 2 ditë të tjera”, theksoi Ibrahimaj.

Lidhur me Paketën e Dytë, Ibrahimaj tha se nga data 21 prill kur është çelur aplikimi e deri tani kanë aplikuar 98 130 individë dhe për 84 826 individë është miratuar bonusi prej 40 mijë lekësh, ndërsa për 75 mijë individë është duke u procesuar pagesa.

“Janë akorduar deri tani 3 miliardë lekë për bonusin. Janë 176 mijë individë që parashikohet të përfitojnë bonusin prej 40 mijë lekësh dhe ne do të mbajmë të hapur aplikimin deri në mesin e muajit maj për tu dhënë mundësi të gjithëve të marrin pagesën që ju takon”, bëri të ditur Ibrahimaj.

Sa i takon gjobave që paralajmëroi Kryeministri Rama sot për bizneset që nuk aplikojnë për pagat e punonjësve të tyre, Ibrahimaj tha se jemi në pritje të aktit që do të dalë sot dhe do të nisim zbatimin e tij.

Po ashtu, ajo informoi se deri tani vetëm 12 individë kanë denoncuar punëdhënësin e tyre për punë në të zezë.

“Inkurajojmë të gjithë individët të denoncojnë punëdhënësit e tyre, pasi vetëm duke qenë pjesë e një ekonomie formale mund të marrin mbështetje nga qeveria”, tha Ibrahimaj.

Rastet, shtoi ajo, janë duke u verifikuar, pasi kërkohet një proces i kujdesshëm hetimi.

Lidhur me pagesën e sigurimeve shoqërore, Ibrahimaj tha se marrëdhënia e pagesës së sigurimeve i përket tatimpaguesit dhe punëmarrësit.

“Të gjithë tatim paguesit duhet të paguajnë detyrimet e sigurimeve shoqërore. Sa i takon paketës së parë bëhet fjalë për tatimpaguesit me qarkullim deri në 14 milionë lekë në procesin e aplikimit kishim parashikuar një hapësirë ku tatim paguesi pyetej nëse donte të paguante sigurimet apo jo, por bëhet fjalë për tatimpaguesit me xhiro deri në 14 milionë lekë dhe që ishte mbyllur biznesi me urdhër të ministrisë. Ne presim që ata të bëjnë deklarimet e tyre dhe të bëjnë pagesat brenda datës 20”, u shpreh Ibrahimaj.

/a.gjonaj/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.