COVID-19/ Voda: Policia punë të jashtëzakonshme edhe për këshillimin e qytetarëve, reagim të menjëhershëm në disa operacione

TIRANË, 4 maj/ ATSH- A. Fortuzi/ Puna e Policisë së Shtetit për monitorimin e zbatimit të masave të vendosura nga qeveria, për mos përhapjen e pandemisë COVID-19, ka qenë e jashtëzakonshme, por tashmë ka ardhur momenti që përgjegjësia të ndahet edhe me institucione të tjera.

Kështu u shpreh zv/ministrja e Brendshme Rovena Voda, e cila gjatë një interviste televizive theksoi se Policia e Shtetit paralelisht me punën për monitorimin e zbatimit të masave ka vijuar angazhimin e saj edhe sa i takon rendit dhe sigurisë. Voda gjithashtu dha lajmin e mirë se numri i rasteve të efektivëve të Policisë të prekur nga koronavirusi i ri është minimal, ç’ka përkthehet me zbatim rigoroz të masave.

“Patrullat monitorojnë një pjesë të rëndësishme të akseve rrugore brenda qytetit dhe po ashtu ndërurbane. Unë mendoj që patjetër, bashkëpunimi me Policinë Bashkiake me një plan konkret do të sjell edhe një ndryshim të këtij imazhi, që mund të jetë vërejtur në disa nga lagjet e kryeqytetit. 1 054 masa administrative, gjoba, janë vendosur nga Policia për këmbësorët për shkelje të fashave të orarit, dhe nuk janë pak. Policia e Shtetit kërkon të arrijë ndërgjegjësimin përmes këshillimit, jo gjobave, por ka raste pra kur është aplikuar dhe gjoba”, – tha Voda.

“I bëjë thirrje qytetarëve të respektojnë oraret dhe të jenë të ndërgjegjësuar për masat që duhet të ndjekin kur dalin për sigurinë e tyre dhe familjarëve të tyre. Jo vetëm policia bashkiake, por duke patur parasysh, që do të shtohet dhe numri i bizneseve dhe një pjesë e tyre nuk operojnë vetëm në qendër, por dhe në lagje, një pjesë e ngushtë është parashikuar të bëhet edhe me inspektoratet përkatëse. Barra pra, nuk duhet t’i ngelet vetëm Policisë së Shtetit, për sa i përket monitorimit të funksionimit të bizneseve të ndryshme, si në respektim të fashave orare dhe në respektim të kushteve të mbrojtjes për respektimin e distancës, maskat…etj. Ky bashkëpunim është shumë i ngushtë tashmë dhe javën që vjen, unë besoj se do të shikoni një angazhim më të madh dhe të policive bashkiake dhe të inspektorateve rajonale që funksionojnë në territor. Ka ardhur momenti që për fushat e përgjegjësisë që mbulojnë, duhet të jetë një ndarje më e gjerë e kontrolleve”, – tha Voda.

Sipas zv/ministres së Brendshme, faktet tregojnë se puna e Policisë, sa i takon rendit dhe sigurisë nuk është ndalur.

“Puna realizohet mbi bazën e një plani të caktuar masash, jo vetëm për rendin publik, por dhe ato kundër krimit të organizuar apo krimeve të rënda. Reagimi i policisë ka qenë i menjëhershëm dhe duhet përgëzuar”, – tha Voda.

“Nuk kemi pse të ndjehemi euforik, por zbulimi i ngjarjes së Durrësit, grabitjes në Tiranë, unë mendoj që Policia e Shtetit ka pasur një reagim të jashtëzakonshëm. Policia ka zhvilluar disa operacione antidrogë, apo antikanabis shumë shumë të suksesshme. Kjo do të thotë se Policia e Shtetit edhe në këtë periudhë, kur duket se gjithçka ishte e izoluar, nuk ka pushuar punën dhe komunikimin me agjencitë e tjera ligjzbatuese, si shërbimi informativ shtetëror apo agjenci të tjera, duke, sigurisht pasur një strategji të caktuar dhe shpesh herë, duke i konkretizuar ato edhe në goditje”, – vijoi Voda.

“Nuk ka qenë fokusi vetëm për karantinimin”, – vijoi ajo.

“Sigurisht karantimi i shërben popullatës dhe gjatë kësaj periudhe ka qenë një nga detyrat kryesore dhe puna kolosale që kanë bërë efektivët e policisë ka qenë kolosale. Por paralelisht është punuar edhe me pjesën e gjurmimit apo identifikimit të personave të shpallur në kërkim për vepra kriminale, apo dënime, që kanë mbetur pa u ekzekutuar. Policia e Shtetit ka pothuajse rreth një vit, që ka bërë një punë shumë të mirë dhe ka pasur një një plan shumë të qartë për kapjen e personave në kërkim, që vjen duke u pakësuar nga muaji në muaj dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe në këtë periudhë të karantinimit. Mjafton t’ju them se ka pasur raste të tjera, të personave të kapur, që kanë qenë pjesë e listës së personave të shpallur në kërkim. Kemi pasur edhe operacione të suksesshme për armëmbajtje pa leje, fishekëve, municioneve… etj., siç përmenda edhe antikanabis. Unë nuk ja vë gjithë vlerën punës zbuluese operacionale të Policia e Shtetit”, – tha Voda.

“Nuk mendoj se kjo situatë, e COVID-19, e mbuloj vendin me një farë qetësi, ishte një plus i madh që ndihmoi Policinë e Shtetit në luftë ndaj krimit apo në zbulimin e disa elementëve. Gjithçka është fryt i një këmbëngulje apo një pune sistematike të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar”, – u shpreh Voda.

Duke folur për sezonin turistik, Voda theksoi se Policia do jetë në krah të taskforcës së turizmit.

“Në fakt, e para kjo gjë lidhet me kushtet e lehtësimit dhe se si do të operojnë operatorët turistik dhe si do të operohet me turizmin në tërësi dhe në radhë të parë për këtë është Ministria e Turizmit dhe Mjedisit përgjegjëse”, – sqaroi Voda.

“Policia e Shtetit është pjesëtare e taskforcave vendore të turizmit. Pra janë taskforcat që drejtohen nga Prefekti i qarkut dhe Policia e Shtetit është pjesë e task forcës së turizmit. Kështu që Policia e Shtetit sërish në zbatim të detyrave, që do riaktivizohen nga këto taskforca, patjetër dhe që policia do luaj rolin e saj”, – theksoi Voda, e cila shtoi se Policia nuk mund të veprojë e vetme.

“Duhet ikur nga mendësia që Policia e Shtetit është vetëm, pasi edhe vetëm nuk mund të bëjë mrekullira. Është shumë e rëndësishëm  bashkëpunimi me strukturat e tjera. Prefektët e qarqeve kanë bërë një detyrë shumë të mirë, duke ndryshuar dhe rolin e prefektit. Besoj se ky bashkëpunim do jetë shumë frytdhënës edhe në rastin e taskforcave të turizmit”, – përfundoi Voda. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.