COVID-19/ U ka skaduar leja e qëndrimit në Çeki, Ambasada: Qytetarët mund të qëndrojnë edhe 60 ditë të tjera

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Shtetasit e huaj, të cilët ndodheshin legalisht në territorin e Republikës Çeke në momentin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, më 12 mars mund të vazhdojnë të qëndrojnë në territor për kohëzgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme plus edhe 60 ditë të tjera edhe në qoftë se i skadon viza e qëndrimit ose afati 90 ditor.

Ambasada e Shqipërisë në Pragë, duke përcjellë njoftimin e Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Brendshme të Çekisë thekson se “aktualisht, gjendja e jashtëzakonshme është në fuqi, deri me 17 maj 2020 dhe pas kësaj date do t’i shtohen edhe 60 ditë të tjera për largimin e personave të cilëve u ka skaduar leja e qëndrimit ose afati 90 ditor në Republikën e Çekisë”.

“Në vazhdim te heqjes graduale të masave shtrënguese, që nga data 4 maj, personat, të cilët ndodhen në situatën e mësipërme, në momentin e daljes nga Çekia do t’u vendoset në pasaportë vula, e cila konfirmon gjendjen e ligjshme në Republikën Çeke deri në atë ditë”, thekson ambasada.

Sipas njoftimit, data në vulë do të jetë data aktuale e daljes nga Republika Çeke. /k.s//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.