36 pacientë në Klinikën Infektive/ Shërohen edhe dy pacientë me COVID-19, tre në gjendje të rëndë

PRISHTINE, 4 maj /ATSH/ -Në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 36 pacientë me COVID-19, prej të cilëve tre persona janë në kujdesin intensiv dhe në gjendje shumë të rëndë. Ndërkaq, katër persona janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.

Mjeku infeksionist Sali Ahmeti për KosovaPress tha se nga tre personat që janë në gjendje të rëndë, dy prej tyre janë edhe në hemodializë kronike.

“Ne sot kemi 36 pacientë të spitalizuar, prej atyre katër janë me oksigjeno terapi me gjendje të rëndë, por megjithatë të stabilizuar. Ndërsa, tre janë në kujdesin intensiv, ata janë në gjendje shumë të rëndë, dy prej tyre janë edhe në hemodializë kronike të cilat po i kryejnë edhe këtu tek ne, por gjendja e tyre vazhdon të mbetet e rëndë”, tha ai.

Mjeku Ahmeti bëri të ditur se sot janë shëruar dy persona nga virusi COVID-19, ndërsa dy të tjerë janë në pritje të rezultateve.

Ndërsa, sa i përket personelit shëndetësor ai tha se nuk ka ndonjë rast të ri.

Duke qenë se ditëve të fundit ka pasur një numër më të ulët të rasteve të reja me COVID-19, ai theksoi se është një kohë pak më relaksuese, por që duhet të vazhdohet me respektimin e masave.

“Është kohë pak më relaksuese, por që nuk do të thotë të shpërqendrohemi dhe të largojmë vëmendjen nga kujdesi i masave të rekomanduara deri më tani. Ne duhet me pas kujdes të shtuar që edhe pse fundi mos të humbim durimin, masat preventive duhet të respektohen sikurse edhe më parë”, tha ai.

Në Kosovë deri më tani janë 851 raste me COVID-19, prej të cilëve 381 persona janë shëruar, ndërsa 22 kanë vdekur./KosovaPress//e.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.