Rama komentuesve: Jeni padiskutim më të vështirë në debat se ata që ju përfaqësojnë në mexhelis, Grupi 7X7=42

TIRANË, 3 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot komentuesve në rrjetet e tij sociale duke theksuar se “nuk ka asgjë personale me askënd, thjesht debatoj, pa dorashka, me ata që sulmojnë e shpeshherë shajnë e fyejnë pa frena fare”.

“Miq. Kush nga ju ka menduar se e kam fyer në replikat e mia këtu, ndjesë! Nuk është kurrë ky qëllimi dhe as arsyeja pse unë replikoj me ju në këtë faqe, qofshin edhe urrejtësit e mi më të mëdhenj ata që kundërshtoj! Unë s’kam kurrësesi asgjë personale me askënd, thjesht debatoj, pa dorashka, me ata që sulmojnë e shpeshherë shajnë e fyejnë pa frena fare, se përndryshe pse na duhet kjo faqe! Disa thonë që tallem, por jo, kurrësesi, përndryshe nuk do harxhoja asnjë sekondë me replika e me bam e bume këtu…”, tha Rama.

Disa thonë, vijoi ai, “s’bëjnë kryeministrat kështu, por jo, unë vërtetë jam përkohësisht kryeministër, por s’kam qenë e s’do jem asnjëherë asgjë tjetër përveçse ai që kam qenë dhe ky që jam”.

Rama tha se “ka dhe disa demokratikas të paepur, që kujtojnë se bëjnë lufte politike me mua këtu e shajnë e nuk pushojnë, mendim ndryshe thonë, por jo, sharja s’është mendim fare apo jo?!”

“Megjithatë as ata s’dua t’i bëj të ndjehen keq! Në asnjë mënyrë! Debati me tërheq shumë dhe të ma bëjnë hallall, kur s’e kam dot me ata që demokratikasit e kësaj faqeje votojnë, sepse janë pa lidhje të votuarit e tyre, s’kam me kë e bëj tjetër përveçse me ta direkt debatin politik – meqë ra llafi, jeni padiskutim më të vështirë në debat se ata që ju përfaqësojnë në mexhelis, Grupi 7X7=42 e kam llafin. Nejse, s’po e zgjas më tutje. Përqafime pa parti”, tha Kryeministri./m.m//a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.