MINSK – Bjellorusia përgatit paradën për LIIB, pavarësisht nga pandemia

MINSK, 3 maj /ATSH-DPA/ – Bjellorusia po përgatit paradën ushtarake për të shënuar përvjetorin e 75-të të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Europë, më 9 maj, pavarësisht nga pandemia e koronavirusit.

“Ne nuk mund të anulojmë paradën”, tha presidenti Alexander Lukashenko në komentet e raportuara nga agjencia shtetërore bjelloruse e lajmeve, Belta.

“Kam menduar për këtë për një kohë të gjatë”, tha Lukashenko, duke shtuar se vendimi ishte emocional dhe ideologjik dhe duke theksuar se njerëzit kishin vdekur nga viruset dhe sëmundjet e tjera edhe gjatë luftës.

“Ata vdiqën për ne, pa marrë parasysh sa keq tingëllon”, tha ai, duke shtuar se askush nuk do të detyrohej të merrte pjesë në paradë.

Ish-republika sovjetike deri më tani ka regjistruar më shumë se 16 700 infeksione koronavirus dhe 99 vdekje të lidhura me virusin.

Lukashenko është përballur me kritika të ashpra brenda dhe jashtë vendit pasi ai nuk arriti të marrë masa për të frenuar përhapjen e virusit.

Ai më parë denoncoi shqetësimet e koronavirusit si një “psikozë”.

Ndërkonë, Rusia e ka shtyrë këtë paradë në Sheshin e Kuq për shkak të pandemisë./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.