TIRANË, 3 maj/ATSH/ Delegacioni i Bashkimit Europian informoi sot se “Dita e Europës këtë vit nderon solidaritetin midis Europës dhe Shqipërisë në përballjen me krizën aktuale të COVID-19.
“Çdo vit në Ditën e Europës, ne festojmë paqen dhe unitetin në Europë. Ky vit është i veçantë, Dita e Europës nderon solidaritetin midis Europës dhe Shqipërisë në përballjen me krizën aktuale, me një program të veçantë të shtunën më 9 maj në orën 19:00”, thuhet në njoftimin e delegacionit të BE-së në Tiranë.
Himni europian do të interpretohet në piano nga Goran Filipec, një pianist kroat me energji të zjarrtë dhe personalitet artistik. Laura Sulaj, një pianiste e talentuar shqiptare, do të interpretojë himnin shqiptar. Laura është fituese e çmimit të parë në konkursin “Frederic Chopin”.
Himnet do të pasohen nga një mesazh i veçantë për të gjithë qytetarët shqiptarë nga Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.
“Pas kësaj …! Përgatituni të dëgjoni këngët e Alban Skenderaj në një mënyrë që nuk e keni parë kurrë më parë: vetëm me një kitarë nga kopshti i tij! Alban Skënderaj është këngëtar, tekstshkrues, kompozitor, aktor, producent dhe personalitet televiziv që e ka vendosur veten si një artist pop-rock dhe një alternative shumë të suksesshme. Muzika e Albanit mbledh së bashku njerëzit rreth gjërave të thjeshta dhe të bukura të një jete: saktësisht çfarë bën Java e Europës”, thuhet në këtë njoftim./m.m//a.a/