Laç/ Rikonstruksion total i godinës së Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit,

TIRANË, 2 maj/ATSH/ Drejtoria rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor në Laç po i nënshtrohet një rikontruksioni total me qëllim përmirësimin e kushteve të shërbimeve për qytetarët.

Drejtori i Përgjithshëm i DSHTRR, Blendi Gonxhja bëri të ditur në këtë degë rajonale ofrohen mbi 97 mijë shërbime në vit.

Për shkak të shirave dhe motit të keq, kjo drejtori herë pas here është përmbytur duke rrezikuar godinën, kushtet e punës, sallat e shërbimit, dosjet dhe arkivat.

Investimi, tha Gonxhja, parashikon rehabilitimin e të gjithë territorit përfshirë dhe rrugën hyrëse. Po ashtu i jep zgjidhje përfundimtare problemit të përmbytjes, duke krijuar rrjetin inxhinierik, drenazhimin dhe sigurim të rrethimit.

“Ndërtimi i ri me standarde dhe cilësi të lartë ofron sisteme sigurie dhe sistemin e ndriçimit për ambjentin e jashtëm”, tha Gonxhja.

Po ashtu, vuri në dukje ai, krijon hapësirë të re dedikuar për ruajtjen dhe mbrojtjen e arkivës në kushte optimale për ruajtjen e dokumenteve, sallë të re të regjistrimit dhe të drejtuesve të mjeteve, sallë të re të testimit me të gjithë elementet e monitorimit të testimit teorik si dhe kapanon të ri të kontrollit fizik e konstruktiv. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.