Zbardhen dy ngjarje të rënda kriminale, të ndodhura dy muajt e fundit në Durrës


TIRANË, 1 maj/ATSH/ Policia e Shtetit dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës arrestuan dy shtetas të akuzuar për vrasjen e dy vëllezërve D. Sh., 35 vjeç dhe A. A., 24 vjeç, në 27 prill në segmentin rrugor Shën Vlash-Nishtulla, të cilët akuzohen edhe për një tjetër vrasje të ndodhur në mars të këtij viti.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në një konferencë për shtyp theksoi se “A. N., 33 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe K. A., 22 vjeç, banues në Durrës u arrestuan si rezultat i punës profesionale të bërë nga grupi i posaçëm hetimor, u bë i mundur grumbullimi i provave që çuan në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes”.

“Në 27 prill të këtij viti në segmentin rrugor Shën Vlash-Nishtulla, ndodhi ngjarja e rëndë kriminale, ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy vëllezër. Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe të DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës”, – tha Veliu.

Ai u shpreh se “departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, RENEA, FNSH Tiranë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Durrës, mbi bazën e provave të grumbulluara nga puna hetimore, u finalizua operacioni policor i koduar “Shën Vlash”, në kuadër të të cilit u bë zbulimi, identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasve”.

“Në vijim të veprimeve, në një kanal midis Shkozetit dhe Nishtullës, nga Forcat Speciale “Renea” u bë e mundur gjetja e armëve të zjarrit të përdorura për të kryer krimin, ndërsa në Arapaj u gjet dhe automjeti i përdorur nga këta shtetas. Falë veprimeve profesionale dhe hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor u bë e mundur edhe zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 2 mars 2020, në lagjen nr. 14, në rrugën “Vath Truja”, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit D. Sh., 35 vjeç dhe A. A., 24 vjeç, ngjarje për të cilën dyshohet se autorë janë dy shtetasit e arrestuar”, – tha Veliu.

Po nga hetimet e kryera dhe këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se mekanizmi i kryerjes së krimit në të dyja ngjarjet është i ngjashëm dhe shkaku dyshohet të jetë prishja e pazareve për aktivitetin kriminal.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, 12 aparate telefonikë të përdorur e prova të tjera të vlefshme që do i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këto ngjarje, por për arsye hetimi nuk bëhen me dije detaje të tjera.

Zbardhja e këtyre ngjarjeve erdhi si rezultat i një bashkëpunimi, koordinimi dhe profesionalizmi mes disa strukturave, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Veliu falënderoi Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe në mënyrë të veçantë prokurorin Gëzim Veizi, për bashkëpunimin, mbështetjen dhe profesionalizmin e treguar dhe i siguroi qytetarët se Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar dhe e vendosur për të luftuar krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, si dhe i ftoi ata që të denoncojnë në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë./k.s/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.