Thaçi: Do ta respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese

PRISHTINË, 1 maj /ATSH – A. Fortuzi/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që pezulloi zbatimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, i cili mandatonte për kryeministër, Avdullah Hotin.

Thaçi fton të gjithë politikanët dhe subjektet politike në vend, që të sillen me maturi në respektim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Sapo u njoftova për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Si President i Republikës së Kosovës do ta respektoj në plotëni këtë vendim. Kosova ka tashmë një përvojë të çmueshme në respektimin e të gjitha vendimeve dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo përvojë është një dëshmi e fuqishme e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, bën me dije Thaçi.

“Si President i Republikës së Kosovës i ftoj të gjithë politikanët dhe subjektet politike në vend, që të sillen me maturi në respektim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, përfundon Thaçi.

/KosovaPress/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.