Siguria ushqimore/ AKU 300 kontrolle në 4 qytete, bllokon 127 kg produkte në Durrës

TIRANË, 1 maj /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) vijon kontrollet në subjektet ushqimore të gjithë vendin, për zbatimin e ligjit të sigurisë ushqimore dhe masave ndaj COVID-19.

Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, gjatë ditës së sotme, kryen 303 kontrollet zyrtare dhe monitorimet në kuadër të Taks Forcës kundër përhapjes së COVID-19, në katër qytet të vendit Durrës, Shkodër, Fier dhe Vlorë.

Gjatë kontrolleve të kryera në Durrës, janë dhënë tre masa administrative “gjobë” me vlerë totale 200 000 lekë, pasi në momentin e inspektimit, në këto subjekte janë gjendur produkte ushqimore të pa pajisura me kundëretiketë në gjuhën shqipe, si dhe është bërë bllokimi i sasisë prej 127,1 kg produkte të ndryshme ushqimore deri në pajisjen e tyre me kundëretiketë konform kërkesave ligjore.

AKU njofton se, gjatë monitorimeve në Shkodër, Fier dhe Vlorë janë bërë këshillime dhe janë lënë detyra ndaj subjekteve, të cilat nuk kanë pasur të plotësuar protokollet e sigurisë, si mungesën e sinjalistikës për distancim fizik, mungesën e xhamit mbrojtës apo afishim posterash.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vazhdojë kontrollet dhe monitorimet në të gjithë vendin në garantim të sigurisë ushqimore dhe shëndetit të konsumatorëve.

/a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.