Rritja e transparencës parlamentare me rëndësi për marrëdhënie sa më të drejtpërdrejta mes deputetëve dhe zgjedhësve të tyre

TIRANË, 1 maj/ATSH/ Rritja e transparencës parlamentare ishte në qendër të bashkëbisedimit online që grupi i të rinjve pjesëmarrës të Akademisë së të Drejtave të Njeriut Voskopojë mbajtën online me kolegët e projektit të OSBE, “Mbështetje për parlamentin dhe edukimin qytetar në Shqipëri”, si dhe me kryetarin e Grupit të Punës për hartimin e Planit Strategjik të Kuvendit.

Ata u informuan rreth platformës online të konsultimeve në lidhje me Planin Strategjik (http://konsultimi.parlament.al), si dhe diskutuan rreth veprimtarive të transparencës parlamentare në situatën e krijuar nga epidemia e COVID-19.

Të rinjtë dhanë sugjerimet e tyre për rritjen e transparencës parlamentare, rolin e medieve sociale në shpërndarjen e informacionit dhe mundësitë e ofruara prej tyre për marrëdhënie sa më të drejtpërdrejta mes deputetëve dhe zgjedhësve të tyre.

Sugjerimet e të rinjve do të pasqyrohen në dokumentin përfundimtar të Planit Strategjik si dhe në sistemin e integruar e-legislation, që përbejnë elementë të rëndësishëm edhe të veprimtarive të projektit të lartpërmendur, i cili zbatohet nga Prezenca dhe Instituti Demokratik Amerikan (NDI), me fonde të qeverisë zvicerane.

Të rinjtë, si aktivistë të të drejtave të njeriut, treguan përkushtim për mbikëqyrjen e transparencës parlamentare dhe shprehën gatishmërinë për të kontribuar për rritjen e saj në të ardhmen.

/gj.m/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.