“Rinisja e kampionatit të futbollit më 24 maj”/ Duka: Me protokoll shëndetësor dhe pa spektatorë për të minimizuar përhapjen e virusit

TIRANË, 1 maj/ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka u shpreh se Federata ka bërë një plan për të filluar stërvitjen në 2 maj dhe më 24 maj kampionatin, por ai theksoi se ky plan duhet të bashkohet me një protokoll shëndetësor për të minimizuar përhapjen e virusit

I pyetur në një intervistë televizive se kur pritet rinisë futbolli në Shqipëri, Duka tha se, “ne kemi bërë një plan për të filluar stërvitjen në 2 maj dhe më 24 kampionatin, por ky plan i joni duhet të bashkohet me një protokoll shëndetësor për të minimizuar përhapjen e virusit. Bëhet fjalë për rikthimin e aktiviteteve pa spektatorë, vetëm për të mbyllur aktivitetet. Urojmë që ne ta përfundojmë këtë garë në fushë”.

Duka u shpreh se “vende të ndryshme kanë qëndrime të ndryshme, megjithë direktivat e vendosura nga UEFA që kampionatet të përfundojnë brenda muajit korrik apo datës 3 gusht. Normalisht që shëndeti është mbi të gjitha. Vende të ndryshme marrin vendime të ndryshme, sipas rastit. Franca apo Holanda që ka ndërprerë kampionatin, ndërsa rreth 80% e kampionateve janë akoma me objektivin për të përfunduar aktivitetet”.

Sa i përket fondit të UEFA-s, 4,3 milionë eurove për secilën federatë anëtare si ndihmë për situatën e krijuar, Duka tha se, “për Shqipërinë janë vërtetë shumë, por këto janë vetëm projekte të orientuara. Nuk ka një fond shtesë as nga FIFA dhe as nga UEFA për COVID-19, por ka një orientim ndryshe të projekteve. Ndryshimi që ka bërë UEFA është që këto fonde të mos detyrohen të përdoren për projektet e mëparshme edhe për të kaluar këtë situatë”.

/gj.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.