“Interes të madh për aeroportin e Vlorës”/ Balluku: Së shpejti rinis gara aty ku u ndërpre nga COVID- 19

TIRANË, 1 maj /ATSH – A. Fortuzi/ Së shpejti rinis aty ku u ndërpre nga COVID-19 gara e aeroportit të Vlorës, ku mbeten 12 ditë nga 60 për ofertuesit ndërkombëtarë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka bërë të ditur se gara për ndërtimin e aeroportit nuk është anuluar apo shtyrë, por është pezulluar. Sipas Ballukut, ofruesve do t’i lihet një periudhë 2-3 javë për të pasur kohën e duhur për të përpiluar dokumentet.

“Për Aeroportin e Vlorës nuk ka as anulim edhe as shtyrje, por pezullim, duke pritur një moment më oportun, menjëherë pas hapjes së kufijve dhe nisjes së fluturimeve, duke i dhënë mundësi dhe kompanive, pasi një nga kriteret e kërkuara është eksperienca e kompanive dhe për këtë pra, duhet të kemi aeroporte që operojnë. Pra jemi duke pritur një moment sa më oportun, kur të hapet transporti ndërkombëtar që të caktojmë datën”, tha Balluku.

“Kështu bëmë dhe Karavastanë, që dje mbyllëm dhe ofertën. Ka një interes nga kompanitë ndërkombëtare dhe nuk do ta nisim më nga 60 ditë, por nga koha që është ndërprerë. Kanë mbetur 12 ditët e fundit, por ne do lëmë 2-3 javë që kompanitë të përpilojnë dokumentet dhe të jenë gati”, – tha Balluku. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.