FOKUS – PEC: Dhjetëra gazetarë kanë humbur jetën nga COVID-19

GJENEVË, 1 maj /ATSH-AFP/ – Dhjetëra gazetarë kanë vdekur në botë gjatë dy muajve të fundit për shkak të koronavirusit të ri, vlerësoi sot organizata zvicerane PEC (Press Emblem Campaign), duke kritikuar mbrojtjen e pamjaftueshme të punonjësve të medieve, të cilët mbulojnë situatën e pandemisë.

Pak ditë para Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, të dielën më 3 maj, kjo organizatë joqeveritare paralajmëron se shumë gazetarë po rrezikojnë veten duke punuar për të mbulojnë krizën e COVID-19, madje disa edhe janë infektuar.

Në një njoftim për shtyp, OJQ-ja me qendër në Gjenevë, militante e mbrojtjes së gazetarëve, tha se që nga 1 marsi, ajo kishte identifikuar vdekjen nga koronavirusi të 55 gazetarëve në 23 vende.

Ajo sqaroi, gjithashtu, se shkaku profesional i disa prej këtyre vdekjeve jo gjithmonë përcaktohet .

“Gazetarët janë në rrezik të konsiderueshëm në këtë krizë, sepse ata duhet të vazhdojnë të informojnë, duke shkuar në spitale, duke intervistuar mjekë, infermierë, politikanë, specialistë, shkencëtarë, pacientë”, tha PEC.

“Në vende të ndryshme nuk u zbatuan masat e nevojshme mbrojtëse, distancimi, mbajtja e maskave, masat higjienike, karantina, veçanërisht në fillim të epidemisë”, vazhdoi ajo.

Sipas llogaritjeve të kësaj organizate, Ekuadori rezulton vendi më i prekur, me të paktën nëntë gazetarë të vdekur për shkak të virusit, i ndjekur nga SHBA-ja me tetë, Brazili me katër, pastaj Britania e Madhe dhe Spanja me nga tre./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.