Zëri i të rinjve duhet të dëgjohet edhe në situatën COVID-19

TIRANË, 30 prill/ATSH/ Të rinjtë janë agjentë të ndryshimit dhe zëri i tyre duhet të dëgjohet edhe në situatën COVID-19.

Me këtë qëllim, Prezenca e OSBE-së organizoi një takim për Grupit të saj Këshillimor Rinor dhe delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, për të diskutuar situatën në Shqipëri, punën e delegacionit dhe përfshirjen e të rinjve.

Kryetari i delegacionit, Ditmir Bushati dhe anëtaret, Elona Gjebrea dhe Rudina Hajdari, u treguan të rinjve se si e kanë përshtatur punën e tyre gjatë pandemisë dhe se si vijojnë të komunikojnë dhe bashkëpunojnë me kolegë nga shtete të tjera pjesëmarrëse të OSBE-së, veçanërisht këtë vit që Shqipëria ka Kryesinë e OSBE-së. Ata i njohën të rinjtë edhe me masat e marra nga Kuvendi i Shqipërisë në përgjigje të krizës së tanishme.

Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Bernd Borchardt mirëpriti përshtatjen dhe reagimin e shpejtë të Kuvendit të Shqipërisë në situatën e shkaktuar nga COVID-19.

Deputetët, të rinjtë dhe stafi i OSBE-së diskutuan edhe për rëndësinë e shtetit të së drejtës dhe të rolit mbikëqyrës të parlamenteve, si edhe për reformën zgjedhore dhe zgjedhjet e vitit 2021 në situatën e COVID-19.

Deputetët përgëzuan të rinjtë për balancën gjinore në Grupin Këshillimor Rinor dhe i ftuan të vijonin të jepnin mendimet e tyre për masat për përballimin e COVID-19 në Shqipëri, duke theksuar rolin e rëndësishëm të të rinjve në jetën politike dhe ekonomike.

Grupi Këshillimor Rinor ndihmon përpjekjet e Prezencës për të integruar një këndvështrim rinor në veprimtaritë e saj programore.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.